Botë

Demonstruesit në Beograd futen në Kuvend

Në Beograd po protestohet nga qytetarë të pakënaqur me masat që të martën i ka prezantuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai ka thënë se prej të mërkurës nuk do të lejohet grumbullimi i më shumë se pesë personave dhe se prej të premtes deri të hënën do të ketë orë policore. Këto masa janë në luftë ndaj përhapjes së koronavirusit.

Sipas raportimit të “b92.net”, protestuesit në një moment ia kanë dalë të futen në Kuvend, por shumë shpejtë janë nxjerrë jashtë.

Po protestojnë anëtarë të disa organizatave dhe grupe opozitare. Disa protestues nuk kanë lejuar të kalojë një automjet i ndihmës së shpejtë, ndonëse automjeti e kishte dritën e rotacionit të ndezur.

Policia nuk ka reaguar ashpër, ka arrestuar vetëm një person për shkak të sjelljes agresive ndaj një policeje.

Protestat kanë filluar për shkak të orës policore të paralajmëruar.

Sipas “Veçernje Novosti” me rastin e hyrjes së protestuesve në Kuvend, ata kanë hedhur fishekzjarrë në holl, ndërsa ka pasur shtyrje me policinë.