Botë

Netanyahu nuk do të heqë dorë nga aneksimi i Bregut Perëndimor

Foto: Reuters

Izraeli nuk do të lëshojë “mundësinë historike” për të zgjeruar sovranitetin e tij në disa pjesë të Bregut Perëndimor, ka thënë të hënën kryeministri Benjamin Netanyahu. Ai e ka quajtur këtë si detyrë kryesore të qeverisë së tij të re, raporton Reuters të hënën.

Palestinezët e konsiderojnë këtë si okupim të ri dhe në shenjë proteste, javën e kaluar, ata shpallën fundin e bashkëpunimit të sigurisë me Izraelin dhe aleatin e tij, SHBA-në.

Netanyahu është zotuar se do te vendosë nën sovranitet të Izraelit vendbanimet hebreje dhe Luginën e Jordanit në Bregun Perëndimor. Ai ka vendosur 1 qershorin si datë për nisjen e diskutimeve të kësaj çështjeje në kabinet, gjë e cila ka ndezur alarmin edhe në Bashkimin Evropian.

Gjatë takimit të ligjvënësve të partisë së tij djathtiste Likud, Netanyahu i vlerësoi këto lëvizje në Bregun Perëndimor si “të rëndësisë së madhe” të detyrave që duhen ndërmarrë nga qeveria e krijuar nga partia e tij dhe ajo Gantz, më 17 maj.

“Kemi një mundësi historike e cila nuk ka ekzistuar që nga viti 1948, për të vendosur sovranitetin në Jude dhe Samarinë në mënyrë të zgjuar dhe diplomatike”, tha ai, duke iu referuar vitit të lindjes së shtetit të Izraelit dhe duke përdorur emrat Biblik për Bregun Perëndimor.

E ky plan i tij vjen në kohën kur ndaj tij po mbahet edhe gjykimi për korrupsion.

“Është një mundësi e madhe dhe nuk do ta lemë të na ikë”, shtoi ai, një ditë pas nisjes së gjykimit ndaj tij për korrupsion. Ai mohoi akuzat për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit.

Palestinezët së bashku me shumë shtete tjera i konsiderojnë ilegale kolonitë në tokat, të cilat Izraeli i okupoi gjatë luftës së Lindjes së Mesme. Izraeli e mohon këtë. Kritikët e aneksimit nga ana e Izraelit kanë ngritur brengat se kjo gjë do të rritë dhunën anti-Izraelite, transmeton KOHA.