Botë

Pence injoron rregullat e klinikës, viziton të sëmurët pa maskë

Reagime të shumta ka marrë zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence, pasi gjatë një vizite spitalore në Mayo, s’kishte vënë fare maskë në fytyrë, pavarësisht se kriteri i klinikës ishte se s’lejohet të futej pa maskë.

Kur zëvendës presidenti i SHBA-së Mike Pence hyri në klinikën Mayo të martën, nuk po mbante maskën fare.

Sipas reporterëve të cilët ishin me të, çdo person tjetër në ndërtesë mbante maskat, pasi që ky edhe është rregulli i këtij spitali të njohur në Rochestër, Minnesota që nga data 13 prill. Ata madje thonë se do të sigurojnë vetë maskat për të gjithë.

“Pence-it iu treguan rregullat para vizitës”, tha kjo klinikë në Twitter, një postim i cili u hoq menjëherë.

“Klinika Mayo ka informuar zv.presidentin për rregullat e mbajtjes së maskës para vizitës së tij sot”, u shkrua në media.

Por gjersa Pence po vizitonte një qendër për dhënie gjaku dhe plazme në këtë ndërtesë, ai nuk mbante maskën në fytyrë, transmeton KOHA raportimet e CNN-it.

Të tjerët në dhomë, përfshirë Dr. Stephen Hahn, që është kreu i Administratës për Ushqim dhe Ilaçe ti SHBA-së, po mbanin maskat.

Klinika Mayo informoi ekipin e zv.presidentit Pence disa ditë para vizitës rreth rregullit që kërkon nga të gjithë vizitorët të mbajnë maska, i tha CNN-it një person i përfshirë në planifikimin e vizitës.

Kur Pence dhe ekipi i tij, përfshirë gazetarët arritën në klinikë, punonjësit e klinikës kishin maskat gati për tërë grupin, përfshirë edhe Pence. Gjatë vizitës nëpër klinikë, të gjithë mbajtën maskat pos Pence-it.

Një burim tjetër i njohur më këtë rast tha se është e qartë se ekipi i Pence tani kupton se është bërë një gabim, pavarësisht asaj që tha zv.presidenti në mbrojtje të vetës dhe mos mbajtjes së maskës. Lajmet për këtë ngjarje u përqendruan në faktin që zv.presidenti nuk po mban maskë e jo në punën e kësaj klinike, dhe ekipi i Pence mendon se kanë mundur të shmangin një gjë të tillë.

Sidoqoftë Pence nuk ia dha dorën askujt, por u përshëndet me mjekët dhe punonjësit duke i prekur bërrylat.

Por ishte pa maskë kur po i falënderonte punonjësit, fliste me administruesit e spitalit, dhe kur po fliste me një punonjës të kësaj klinike i cili po jepte plazmën nga gjaku i tij pasi që ishte diagnozuar me Covid-19 në fund të muajit mars.

Pastaj, Pence i tha gazetarëve që nuk po mbante maskë ngase shpesh testohet për koronavirus.

“Si zv.president i SHBA-së testohem rregullisht për koronavirus, njëjtë si të gjithë personat që janë rreth meje,” tha ai, duke aluduar në këshillat nga Qendra e SHBA-së për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve të cilët thonë se mbajtja e maskës e parandalon përhapjen e virusit nga njerëzit e infektuar.

“Pasi që nuk e kam koronavirusin, mendova që është mundësi e mirë për mua që të flas me këta hulumtues dhe punonjës të shkëlqyer shëndetësor, dhe t’i shikoj në sy e t’ju them falënderime”, tha ai.

Por në faqen e internetit të klinikës Mayo, shkruhet se kërkohet nga “të gjithë pacientët dhe vizitorët të mbajnë maska për të parandaluar përhapjen e Covid-19.” Nuk shkruan se ka dallim në mes vizitorëve që janë testuar për koronavirus dhe për rata qe nuk janë testuar.

“Pacientët dhe vizitorët duhet të sjellin maskat e tyre. Nëse pacienti apo vizitori nuk ka maskë, Klinika Mayo do ta sigurojë maskën”, shkruhet në faqen e tyre të internetit.

Këto rregulla kanë ardhur për shkak të rekomandimeve të administratës Trump, ku që nga fillimi i prillit thuhet që amerikanet duhet të mbajnë maska në publik për të parandaluar përhapjen e virusit nga të infektuarit asimptomatik. Tashmë një muaj, Pence është testuar çdo javë për virusin.

Sidoqoftë, me lajmërimin e rregullave, presidenti Donald Trump vazhdimisht theksoi se këto rregulla nuk ishin të domosdoshme, dhe se vetë nuk do të mbante maskën.

“Nuk mendoj që do ta bëj,” tha ai, duke shtuar se nuk e sheh veten me maskë në zyrën Ovale: ”Thjeshtë nuk e shoh, të mbaj maskë deri sa I takoj kryeministrat, diktatorët, mbretët dhe mbretëreshat.”

Pasi që Klinika Mayo e fshiu tweetin ku shkruante se e kishin këshilluar Pence të mban maskën, një porosi e re u shfaq duke e falënderuar zv.presidentin për vizitën.

“Mirëpresim bashkëpunimin e vazhdueshëm për zhvillimin e testimeve dhe trajtimin e pacientëve dhe komuniteteve tona“, thuhej aty.