Botë

OKB: Pandemia pritet të dyfishojë numrin e të uriturve

Për shkak të pasojave ekonomike të pandemisë Covid-19, Organizata e Kombeve të Bashkuara, mendon se numri i të uriturve në botë pritet të dyfishohet, shkruan të mërkurën DW.

Numri i atyre që nuk mund të hanë ushqim të mjaftueshëm për të jetuar shëndetshëm ose i atyre që vuajnë nga uria, mund të shkojë në vitin 2020 deri në 265 milionë vetë.

Organizatat humanitare paralajmërojnë sidomos për përkeqësimin e situatës në Afrikën Perëndimore, ku ka konflikte të shumta. Kriza e koronavirusit është një goditje e fortë ndaj mjaft vendeve ku gjendja e furnizimit me ushqime është e brishtë", thonë zyrtarë të organizatave joqeveritare si Oxfam, Care e të tjera.

Sipas tyre rezervat e të korrave të mëparshme po përfundojnë dhe, për shkak të kufizimeve të COVID-19 në shumë vende, po rriten çmimet dhe disa ushqime kryesore nuk janë në dispozicion.

Po ashtu në fillim të sezonit të ri të mbjelljeve, bujqit do të kenë gjithashtu vështirësi për të blerë fara dhe plehra me cilësi të lartë. Popullsitë nomade do të hasin në pengesa për shtegtimet e tyre. Dhe në vende si Burkina Faso ose Niger, ndihmat humanitare nuk mjaftojnë për të plotësuar nevojat për ushqim të mijëra njerëzve të zhvendosur.

Prandaj organizatat humanitare u bënë thirrje qeverive të rajonit dhe komunitetit ndërkombëtar të kujdesen që çmimet të mbeten të qëndrueshme, të sigurojnë furnizimin me ushqime dhe të garantojnë lëvizjen ndërkufitare të mallrave. Sipas organizatave humanitare pritet që nga pasojat shkatërruese ekonomike të pandemisë Covid-19 të vdesin më shumë njerëz sesa nga vetë sëmundja.