Botë

Sandersi mbështet Bidenin për president

Foto: Reuters / ilustrim

Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders, të hënën edhe zyrtarisht e dha mbështetje ish-zëvendëspresidentit Joe Biden për president.

“Na duhesh në Shtëpinë e Bardhë. Do të bëj gjithë çka mundem që ta realizoj këtë, Joe”, i tha Sandersi ish-zëvendëspresidentit amerikan gjatë një transmetimi direkt nga fushata e Bidenit.

“Sot, po kërkoj nga të gjithë amerikanët, po kërkoj nga çdo Demokrat, po kërkoj nga çdo i Pavarur, po kërkoj nga shumë Republikanë, të bëhemi bashkë në këtë fushatë që ta mbështesim këtë kandidaturë, të cilën unë e mbështes”, tha Sandersi, raporton CNN.

Sandersi tha se dyshja është pajtuar të formojnë një task-forcë për të punuar mbi çështjet politike. “Pres me padurim të punoj me ju dhe t’i bëjmë bashkë disa njerëz të mrekullueshëm në këto task—forca” tha ai, transmeton KOHA.

Ndërkaq, Bideni u shpreh falënderues për mbështetjen e Sandersit, duke i thënë se do t’i duhet “edhe për të qeverisur”.

“Mendoj se miratimi juaj do të thotë shumë për mua. Mendoj se njerëzit do të befasohen se ne jemi shumë të ndarë për disa çështje, por jemi jashtëzakonisht të afërt për gjëra tjera”, tha Bideni. “Do t’më duhesh – jo vetëm për ta fituar fushatën, por edhe për të qeverisur”.