Botë

Pandemia po teston liderët botërorë

Presidenti brazilian merr pjesë në një video-bisedë me liderët e G20-s. Foto: Reuters

Moskë, 5 prill (AJ) – Pandemia COVID-19 po kërcënon jetën dhe të mirat materiale anembanë botës.

Për vetëm tre muaj, më shumë se një milion njerëz janë infektuar anembanë botës në 180 shtete, përderisa më shumë se pesëdhjetë mijë kanë vdekur në kohën kur Kombet e Bashkuara po i referohen pandemisë si “kriza më sfiduese” për botën pas Luftës së Dytë Botërore.

Në shumë pjesë të mëdha të globit, mbylljet publike kanë për synim të frenojnë përhapjen e virusit korona. Por megjithatë masat shtrënguese kanë vënë në gjendje thuajse bllokimi aktivitetin ekonomik. Në rajonet më të goditura, spitalet janë stërngarkuara me njerëz të sëmurë dhe të vdekur, përderisa në vendet tjera të varfra dhe të cenueshme, sistemet po përballen me mungesa ushqimesh dhe krizë buke.

Duke vënë në pah këtë rrezik për paqen dhe stabilitetin në botë, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë një thirrje urgjente për veprim, duke u thënë politikanëve të “harrojnë lojërat politike” dhe të bëhen bashkë për “një reagim efektiv dhe të fortë”.

“Bota po përballet me një test të pashembullt. De ky është momenti i së vërtetës”, është shprehur ai.

Dhe në fakt, situata nuk ka qenë kaherë më kritike.

Miliona jetë do të varen prej vendeve të liderëve të botës në ditët dhe javët e ardhshme. Por analistët thonë se shenjat e para janë shqetësuese.

Në disa shtete, reagimet nga krerët e qeverive janë shoqëruar me konfuzion dhe mohim, duke vënë në rend të parët interesat personale, mosbesimin ndaj shkencës ose frikën nga një krizë e thellë ekonomike.

“Situata ka qenë dëshpëruese në shumë shtete – në shumë sosh”, ka deklaruar John Barry, historian i cili studioi gripin spanjoll që ua mori jetën më shumë se njëqind milionë njerëzve më 1918. “Në disa shtete, sisa veprime liderësh kanë qenë të papërgjegjshme me veprime që ua marrin jetën shumë qytetarëve të tyre”.

Në Kinë, ku u detektua për herë të parë sëmundje në dhjetor, autoritetet akuzohen se u përfshin në mbulimin e sëmundjes dhe ndëshkimin e mjekëve që kishin alarmuar në ditët e para. Kritikët thonë se ky hezitim qeveritar bëri që virusi të përhapej rrufeshëm prej qytetit të Vuhanit në krejt botën.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Donald Trump, së pari hodhi poshtë seriozitetin e kërcënimit, duke parashikuar se virusi do të “zhdukej” si “një mrekulli”. Ai madje akuzoi rivalët politikë se po alarmonin për një rrezik të paqenë. Ai ndërroi qasjen vetëm pasi këshilltarë më të lartë të shëndetit publik alarmuan dhe paralajmëruan se mund të vdesin deri mbi dyqind mijë amerikanë prej virusit korona.

Në Brazil, presidenti Jair Bolsonaro, vazhdoi të hidhte poshtë sëmundjen si “fantazi” dhe “grip i vogël”. Madje refuzoi edhe këshillat e mjekëve më të njohur të vendit për distancim social. Doli në rrugë duke u bërë thirrje kryeqytetasve që të ktheheshin në punë.

Presidenti meksikan, Andres Manuel Loopez Obrador, njëherësh, mbajti tubime politike në fund të marsit, duke i puthur në faqe mbështetësit e tij. U tha meksikanëve të vazhdonin të “jetonin normalisht”. Këtë deklaratë e dha edhe pasi ministri i tij i Shëndetësisë u bënte thirrje qytetarëve që të rrinin në shtëpi.