21:21

Rritet numri i të vdekurve nga koronavirusi në Itali

Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, viktima është një 62-vjeçar i cili prej ditësh ishte i infektuar nga virusi vdekjeprurës, ndërsa sot ai nuk ka mundur të mbijetojë.

Pacienti ishte transferuar në spitalin Sant’Anna në Como gjatë fundjavës së shkuar. Ai ishte banor i Castigliones d’Adda. Sipas medieve italiane viktima vuante edhe nga një sëmundje e rëndë kronike nga e kaluar.

Ndërkohë numri i të prekurve nga koranavirusi në Itali përllogaritet të jetë në 230, ndërsa ky bilanc vazhdon të përkeqësohet.

Lombardia është rajoni me numrin më të madh të rasteve, për të vazhduar me Veneto-n, Emilia Romagna-n, Piemonte-n dhe Lazio-n, transmeton tch.

Milano, falë edhe mbylljes së shkollave, është e zbrazur; metroja dhe trenat janë bosh. Ndërkohë, në Vo, në Veneto, kanë nisur kontrollet nëpër rrugë. Brenda dhe jashtë aeroporteve, kontrollet janë të shumta ndërkohë që në aeroportin e Fierences është e pranishme edhe ushtria.

Shumë qytetarë i janë drejtuar supermarketeve për të blerë ushqime në rast emergjence duke i lënë raftet, thuajse të zbrazura. Në Lion ndërkohë është bllokuar një autobus nga Italia ndërsa në Mauricius, është ndaluar zbarkimi i italianëve nga zonat e rrezikut, ndërsa gjithnjë e më shumë po diskutohet tani për pezullimin e Shengenit. Austria, një ditë më parë bllokoi kufijtë me Italinë ndërsa Franca dhe Zvicra thanë se për momentin nuk do të ndiqnin këtë shembull.

Nisur nga zhvillimet në Itali, një mision i përbashkët i BE dhe OBSH do të mbërrijë në vend ndërkohë që komisioni evropian ka akorduar 230 milionë euro për të ndihmuar luftën globale kundër përhapjes së koronavirusit.

14:59

Rritet në 6 numri i viktimave nga koronavirusi në Itali

Është rritur në gjashtë numri i viktimave në Itali, të shkaktuara nga koronavirusi, raportojnë mediat e huaja. E fundit që vdiq, është një grua nga Crema. Ajo ishte e shtruar në Spitalin Civil të Brescias, ku ishte transportuar të dielën pas keqësimit të situatës.

Sipas të dhënave të fundit, numri i të infektuarve në Itali, ka shkuar mbi 220.

Lombardia është rajoni me numrin më të madh të të infektuarve, pasi deri më tash janë shënuar 172 raste.

Si pasojë e përhapjes së këtij virusi, shumë shkolla janë mbyllur, kurse trenat lëvizin të zbrazët. Po ashtu, shumë prej marketeve në veri të Italisë janë zbrazur, pasi qytetarët kanë blerë gjëra ushqimore me të madhe, duke e menduar izolimin e gjatë.

Ndërkohë, numri i viktimave nga koronavirusi është rritur edhe në shtetet tjera, sidomos në Iran, ku janë raportuar tetë të vdekur.

09:37

Shkon në katër numri i të vdekurve në Itali nga koronavirusi

Shënohet viktima e katërt në Itali për koronavirus. Ai është një 84 vjeçar i shtruar në spital në Bergamo.

Pothuajse në të gjithë Italinë veriore ndalesa për shkollat fillon sot. Duomo dhe Scala në Milano janë gjithashtu të mbyllura.

Viktima e tretë ishte në Lombardi. Por me vdekjen e 84-vjeçarit, viktimat totale në Itali rriten në katër.

Lombardia është rajoni me rastet më të regjistruara dhe për këtë arsye pikërisht këtu masat janë më të ngurta, raoprton sky news.

Në fakt, guvernatori Attilio Fontana urdhëroi mbylljen e shkollave, ambientet e hapura në mbrëmje dhe pezullimin e ngjarjeve sportive dhe kulturore.