Dodik: Lamtumirë Bosnjë, mirë se erdhe RS-exit

Izetbegoviq paralajmëron Dodikun

17 February 2020 18:39
23:41

Presidenti i Partisë së Aksionit Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviq, ka thënë se gjendja nuk është e tillë sa që Bosnjë-Hercegovina duhet të mbrohet sërish më armë, por ka shtuar se është skajshmërisht serioze.

Reagimi i tij vjen pas paralajmërimit të bërë të hënën në seancën e Kuvendit Popullor të Republika Sërpskas për shkëputje të shpejtë nga Bosnja.

“Nëse prishet marrëveshja e paqes, prishet edhe paqja. Mos e shkruaj Zot që të ndodhë një skenar i tillë”, ka thënë Izetbegoviq në një intervistë për TV Hayat.

Sipas tij, problemi është se si pala serbe ashtu edhe ajo kroate po kërkojnë të ndryshojnë kushtetutën sipas qejfeve të tyre, por SDA-ja është e vendosur të mos dorëzohet para këtyre shantazheve, transmeton Koha.net.

“Le të urdhërojnë... do të futemi në krizë dhe të shohim se kush do të qëndrojë më së gjati. Ne alternativë nuk kemi, ka thënë Izetbegoviq.

Ai ka ftuar presidentin e HDZ-së në Bosnjë, kroatin Dragan Çoviq, që të shqyrtojë se kah e çon aleanca me Millorad Dodikun, anëtarin serb të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës.

“Vazhdimisht po ia tërheq vërejtjen Çoviqit që të mos shkoj në rrugën nga shkoi Mate Boban me Radovan Karaxhiqin në një kohë. Kur gjithçka përfundoi, gjysma e kroatëve në këtë vend nuk ishin për shkak të një politike kundërshtuese”, ka thënë Izetbegoviq.

20:44

“Referendumi në Republika Sërpska do të ishte i paligjshëm”

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë-Hercegovinë, Valentin Inzko, është i bindur se nuk do të vijë deri te mbajtja e referendumit për shkëputje të Republika Sërpskas.

“Edhe nëse do të mbahej referendumi, nuk do të kishte vlefshmëri juridike”, ka thënë Inzko për TV N1.

Ai ka thënë se Zyra e Përfaqësuesit të Lartë do të insistojë në respektimin e Marrëveshjes së Dejtonit, përmes të cilës garantohet sovraniteti dhe integriteti i Bosnjës, transmeton Koha.net.

Reagimi i tij ka ardhur pas seancës së mbajtur të hënën në Kuvendin Popullor të Republika Sërpskas, ku është paralajmëruar “fundi i Bosnjës-Hercegovinës” në kufijtë e tashëm.

Paralajmërimin e ka bërë anëtari i Presidencës së Bosnjës, Millorad Dodik.

“Me Marrëveshje të Dejtonit, entitetet nuk kanë të drejtë të ndahen. Ndarja do të ishte kalim i vijës së kuqe, por vija ndëretnike nuk është kurrfarë kufiri”, ka thënë Dodik më herët.

Me këtë arsyetim nuk pajtohet Inzko.

“Nuk bën të harrojmë se Bosnja është pranuar në OKB si shtet i përbashkët më 1992, së bashku me Kroacinë dhe Slloveninë. Të gjitha janë pranuar për një ditë në OKB dhe ky është gurthemeli i Bosnjës. Kufijtë e brendshëm janë ndërruar në Dejton, por vetëm të brendshmit”, ka shtuar Inzko.

18:39

Dodik: Lamtumirë Bosnjë, mirë se erdhe RS-exit

Anëtari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Millorad Dodik, u është drejtuar deputetëve në seancën e veçantë të Kuvendit Popullor të Repulika Sërpkas, të mbajtur të hënën me sloganin “Lamtumirë Bosnjë, mirë se erdhe RS-exit”, bëri të ditur agjencia “B92”.

Kjo paraqitje e tij është në vijë me iniciativën e paraqitur më herët se “Republika Sërpska do të ndahet nga Bosnja dhe se këtë nuk mund ta kundërshtojë as SHBA-ja”.

Dodik në seancën e mbajtur të hënën, ka thënë se Kuvendi i Republika Sërpskas (RS) është vendi i të gjitha vendimeve dhe se vetëm aty, sipas tij, mund të flitet për fatin e banorëve të RS-së, transmeton Koha.net.

“Ne nuk guxojmë të hezitojmë të marrim vendime të rëndësishme për të ardhmen tonë. Kësaj here jemi seriozë dhe nuk do të pranojmë të ndërrojmë drejtim”, ka thënë Dodik.

Sipas tij, RS-ja dhe banorët serbë nuk kanë të ardhme në Bosnjë-Hercegovinë, pasi Sarajeva nuk po i pranon dhe po i urren.

Dodik tha se politikanët boshnjakë në Sarajevë kanë bindjen se ndërkombëtarët do të shpëtojnë Bosnjën, por kjo është naive, sipas tij.

“Seanca e sotme është thirrur pasi populli serb është mashtruar”, tha Dodik. “Po mundohen të na bëjnë më pak të rëndësishëm, duke menduar se vetëm ata e dinë se çfarë është e mirë për ne”.

Ai tha se shumë prej Perëndimit mendojnë se RS-ja nuk është në gjendje të merret me veten. Po ashtu ka falënderuar partitë serbe për unifikimin rreth kësaj çështje.

“Për 60 ditë do të shihemi. Besoj se do të jemi aty ku unë kam thënë në fillim”, tha Dodik, duke iu referuar deklaratës së mëhershme, se RS-ja do të shpallë pavarësinë nga Bosnja.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme