Dy shpërthime të fuqishme kanë ndodhur në vullkanin Shishaldin në shtetin amerikan të Alaskës.
Zyrtarët e Observatorit Vullkanik të Alaskës njoftuan se shpërthimi i parë në vullkanin që gjendet në ishujt Aleutian ka ndodhur dje në orët e mëngjesit sipas kohës lokale.
Autoritetet thanë se hiri vullkanik ka arritur fillimisht në 5.791 metra, ndërsa më vonë deri në 7.620 metra.
Shërbimi Kombëtar Ajror i SHBA-së, siç transmeton AA, lëshoi paralajmërim për pilotët, duke thënë se hiri është përhapur edhe në rutën e fluturimeve. Ky institucion po ashtu e ngriti në nivel alarmi paralajmërimin pas shpërthimeve.
Siç bëhet e ditur, nën ndikimin e erërave, retë e zeza të shkaktuara nga hiri vullkanik kanë arritur deri në Detin e Beringut.
Shishaldin, një nga vullkanet më aktive në harkun vullkanik Aleutian, shpërtheu edhe muajin e kaluar, kur hiri arriti një lartësi prej 7.600 metrash.
Hiri i nxjerrë nga vullkani shpesh dëmton motorët e avionëve që fluturojnë midis Amerikës së Veriut dhe Azisë.