Koreja Veriore ndërpret bisedimet bërthamore me SHBA-në në Suedi Foto: Reuters

Koreja Veriore ndërpret bisedimet bërthamore me SHBA-në në Suedi

07 October 2019 08:08

Bisedimet bërthamore në Suedi, midis zyrtarëve verikoreanë dhe atyre amerikanë, janë ndërprerë, ka bërë të ditur kryenegociatori bërthamor i Koresë së Veriut, duke i shembur mundësitë për dalje nga qorrsokaku disamuajsh.

Bisedimet, në një qendër të boshatisur për konferenca në periferi të Stockholmit, ishin negociatat e para formale, qëkur presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe lideri verikorean, Kim Jong Un, u takuan në qershor dhe u pajtuan që t’i rifillojnë negociatat, që dështuan pas samitit të dështuar në Vietnam gjatë shkurtit, transmeton Koha Ditore shkrimin e Reutersit.

Kryenegociatori bërthamor i Veriut, Kim Myong Gil, që e ka kaluar pjesën më të madhe të ditës në bisedime me një delegacion amerikan, e ka hedhur fajin mbi atë që e ka quajtur jofleksibilitet të SHBA-së, duke thënë se negociatorët e anës tjetër nuk “heqin dorë nga pikëvështrimi dhe qasja e kamotshme”.

“Negociatat nuk i kanë përmbushur pritjet tona dhe kanë dështuar më në fund”, iu ka thënë Kim gazetarëve, jashtë Ambasadës së Koresë së Veriut, duke folur përmes një përkthyesi.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se komentet e Kimit nuk pasqyronin “përmbajtjen apo frymën” e më shumë se tetë orëve bisedimesh dhe se Washingtoni e kishte pranuar ftesën e Suedisë për t’iu kthyer diskutimeve të reja me Fenianin pas dy javësh.

“SHBA-ja ka sjellë ide kreative dhe ka zhvilluar diskutime të mira me homologët e saj verikoreanë”, ka thënë përmes një deklarate zëdhënësja Morgan Ortagus.

Ajo ka thënë se delegacioni amerikan kishte paraqitur një numër nismash të reja, të cilat do t’ia hapnin rrugën progresit në bisedime, teksa e ka theksuar rëndësinë e një angazhimi më intensiv.

“SHBA-ja dhe DPRK-ja nuk do ta tejkalojnë trashëgiminë e 70 vjetëve luftë dhe armiqësi në Gadishullin Korean për vetëm një të shtunë”, ka shtuar ajo.

“Janë këto çështje me peshë dhe lypsin një përkushtim të fuqishëm të të dyja shteteve. SHBA-ja e ka atë përkushtim”.

Kim i Koresë Veriore ka mohuar deklaratat për përkushtim amerikan.

“SHBA-ja ka ngritur pritjet, duke thënë se ofron qasje fleksibile, metoda të reja dhe zgjidhje kreative. Por, ata na kanë zhgënjyer jashtë mase dhe e kanë zbehur entuziazmin tonë për negociata, duke mos sjellë asgjë në tavolinën e negociatave”, ka thënë ai.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme