Shefi i qeverisë britanike, Boris Johnson ka deklaruar se BE duhet të heqë dorë nga ideja e një vije kufitare në Irlandën e Veriut në negociatat për Brexit.
Por Brukseli është përgjigjur duke deklaruar se është i gatshëm të bëjë lëshime vetëm nëse Londra ofron alternativa të reja.
Kryeministri britanik Boris Johnson u ka thënë liderëve europianë se duhet të heqin dorë nga ideja e kufirit në Irlandën e Veriut, pasi një gjë e tillë është e dëmshme dhe anti-demokratike.
Në një letër dërguar presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, Johnson gjithashtu tha se një kufi, sado simbolik, do të minonte procesin që rrjedh nga marrëveshja e paqes e Irlandës së Veriut.
Por zoti Tusk reagoi duke thënë se ata që kundërshtojnë marrëveshjen ekzistuese të Brexit pa ofruar në këmbim alternativa të reja mbështesin rikthimin e një kufiri të mirëfilltë mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës.
“Ky është realiteti, edhe pse ata nuk duan ta pranojnë”, tha Tusk.
Edhe
Tusk: BE-ja s'është e bindur me planin e Johnsonit për Brexit
Ai theksoi se varianti europian për kufirin është një lloj garancie për të shmangur rikthimin e një kufiri fizik në ishullin e Irlandës, veç rastit nëse gjendet një alternativë e re.
“Ky ka qenë një pozicion i qartë dhe i qëndrueshëm i Bashkimit Europian dhe mbetet i tillë”, komentoi ndërkohë ministri i Jashtëm irlandez, Sajmon Kovenej. Ndërkohë Komisioni Europian deklaroi se letra e zotit Johnson nuk ofronte një zgjidhje të aplikueshme për të parandaluar rikthimin e kufirit fizik irlandez.
Çështja e kufirit, e njohur ndryshe si “kufiri i butë”, është pjesë e marrëveshjes së negociuar nga ish-kryeministrja Theresa May me Brukselin, por e hedhur poshtë tre herë nga ligjvënësit britanikë./ABC News