Rusia zotohet për kundërpërgjigje ndaj vendosjes së trupave amerikane në Poloni

Rusia zotohet për kundërpërgjigje ndaj vendosjes së trupave amerikane në Poloni

13 June 2019 13:04

Ligjvënësit rusë kanë thënë të enjten se vendosja e trupave të reja ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Poloni, paralajmëruar nga presidenti Donald Trump, do të hasë në kundërpërgjigje të sertë të Moskës, duke sinjalizuar se veprimi do ta shndërronte Poloninë në një cak konflikti.

Trump i premtoi të mërkurën presidentit polak, Andrzej Duda, se do të vendosë rreth 1 mijë trupa ushtarake në Poloni, në një veprim të cilësuar nga Varshava zyrtare si përpjekje për zmbrapsjen e agresionit potencial prej anës së Rusisë, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.

Deputetët rusë ishin të parët që reaguan ndaj iniciativës amerikane, për të cilën thanë se e nënkupton po ashtu vendosjen e dronëve ushtarakë. “Në rast të ndonjë konflikt, Zot ruana, territori i Polonisë do të shndërrohej në një cak të qartë për sulm hakmarrës, po që se ndodh ndonjë sulm i papritur ndaj nesh”, ka thënë Vladimir Dzhabarov, zëvendësshefi i Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Dhomës së Lartë të Parlamentit rus.

Një tjetër ligjvënës, ish-komandanti i forcave speciale ruse, Vladimir Shamanov, i cili tani e udhëheqë Komitetin e Mbrojtjes të Dhomës së Lartë të Parlamentit, ka thënë se është i shqetësuar për shkak të dronëve amerikanë, ngase ato kanë potencial që të bartin koka bërthamore.

“Bota po rrëshqet gradualisht drejt një momenti të rrezikshëm, të krahasueshëm me krizën karaibeane”, ka thënë Shamanov, duke e përdorur shprehjen ruse për krizën raketore të Kubës më 1962.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme