Botë

Merkeli takon Zaevin, Osmanin e Dimitrovin - temë data e nisjes së negociatave për anëtarësim

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, janë pritur në një takim nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

Siç bëhet e ditur, temë kyçe në këtë takim do të jetë data për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian me të cilët duhet të konfirmohet edhe në samitin e ardhshëm të liderëve të Unionit më 20 dhe 21 qershor në Bruksel.

Para takimit të sotëm me Merkelin, Zaev mbrëmë në takim me biznesmenët në Berlin ka porositur se anulimi i fillimit të negociatave me BE-në për vendin do të ketë pasoja negative, do ta sjell në pikëpyetje stabilitetin e koalicionit qeveritar por edhe do ta ushqej ultranacionalizmin.

Zaev ka thënë se Qeveria e tij pret hapjen e negociatave qasëse me BE-në në qershor siç është e shkruar në konkluzat e Këshillit të BE-së nga viti i kaluar.

“Konsiderojmë se meritojmë vendim bazuar në të arriturat. Anulimi i atij vendimi do të konsiderohet si negativ dhe do të ketë efekte negative. Çfarëdo vendimi përveç asaj për hapjen e kapitujve për negociata do të ndikojë në proceset e brendshme politike dhe do ta vë në pikëpyetje stabilitetin e koalicionit qeveritar. Do ta ngjall dëshpërimin tek qytetarët, do ta pengojë implementimin e Marrëveshjes së Prespës dhe do të sjell dëm në dinamikën e reformave”, ka thënë Zaev, raporton Alsat-M.

Parlamenti gjerman javën e kaluar e ratifikoi Protokollin për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO, por gjatë debatit deputetët gjermanë hyrjen e vendit në Aleancë e lidhën me datën e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian. Edhe pse debati për raportin e Komisionit Evropian duhet të mbahet në seancë të veçantë, megjithatë disa nga deputetët kanë vërejtje se ai debat po shtyhet.

Ratifikimin për anëtarësimin e kundërshtuan Alternativa populiste për Gjermaninë (AFD) dhe e Majta, informon Dojçe vele. Petër Bistron nga AFD e uroi vendin për mbylljen e Rutës ballanike për refugjatët në vitin 2016, por tha se partia e tij do të votojë kundër anëtarësimit në NATO sepse ka “problem të madh me korrupsionin”, ndërsa Ballkani është vetëm periferi e Evropës.

Deputeti nga të Gjelbrit opozitarë, Jirgen Tritin vlerësoi se rreth fillimit të negociatave ka përleshje edhe në vetë qeverinë.

“Kancelarja është kundër, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme angazhohet që të fillojnë negociatat. Koalicioni nuk mund të arrijë pajtueshmëri për këtë çështje, deklaroi ai. CDU e kancelares Angela Merkel dhe socialdemokratët e SDP-së, të cilëve iu përket ministri i Punëve të Jashtme Heiko Maas e përbëjnë koalicionin qeveritar. Personalisht besoj se është i mundur vetëm një vendim – fillim i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë për anëtarësim në BE sipas rekomandimit të Komisionit Evropian”, theksoi kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin maqedonas Stevo Pendarovski në Bruksel.

“Si kryesues i Këshillit Evropian nuk dua të prejudikoj. Keni bërë gjithçka që pritej nga ju, por të jem i sinqertë – nuk janë të gatshme të gjitha vendet anëtare të BE-së që të sillet vendim për hapjen e negociatave për anëtarësim në ditët e ardhshme. Pyetja është jo “nëse”, por “kur” do të fillojnë. Jam i kujdesshëm për këtë pyetje sepse e di se ndonjëherë arritja e konsensusit mes 28 vendeve anëtare zgjat më shumë se sa që do të dëshiroja unë. Por, nuk ka dyshim se vendi i vendit tuaj dhe i rajonit është në BE”, theksoi Tusk.