Botë

Pas 20 vjetësh, debat televiziv mes kandidatëve në garë për kryetar të Stambollit

Pas më shumë se njëzetë vjetësh në Turqi do të mbahet debati i parë televiziv mes dy kandidatëve për kryetar të Stambollit.

Opozitari Ekrem Imamoglu dhe rivali i tij Binali Yildirim i partisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan, do të jenë përballë njëri-tjetrit për përsëritjen e garës së Stambollit, transmeton KTV.

Partia republikane e Imamoglut siguroi një fitore të ngushtë ndaj Yildirimit më 31 mars, duke zënë në befasi partinë e Erdoganit që apeloi rezultatin e zgjedhjeve. E komisioni zgjedhor në Turqi miratoi këtë kërkesë të partisë pasi gjeti parregullsi gjatë procesit të votimit dhe caktoi 23 qershorin si datë të re për përsëritjen e garës.

Debati televiziv që do të mbahet më 16 qershor, do të transmetohet në të gjitha kanalet televizive në Turqi. Të dy kandidatët janë pajtuar me rregullat bazë të debatit që të kenë kohë dhe pyetje të njëjta.