Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

160 shtete nënshkruajnë deklaratë për migrim

Më shumë se 160 shtete të botës formalisht kanë miratuar deklaratën globale për imigrim, pavarësisht disa tërheqjeve dhe hezitimeve, transmeton KTV.

E vlerësuar si deklaratë për imigrim të sigurt, të rregullt dhe në rend, dokumenti u miratua në një konferencë të OKB-së në Marrakech në Marok.

Kjo është deklarata e parë ndër-qeveritare e OKB-së, e cila do të mbulojë të gjitha dimensionet e imigrimit ndërkombëtar. Në të qëndrojnë 23 qëllime me përkushtime dhe aksione që do të ndërmerren në rastet e imigrimit.

Derisa shumica e shteteve janë krejtësisht të përkushtuara ndaj deklaratës, më shumë se 20 shtete kanë hequr dorë nga nënshkrimi i saj ose janë të pavendosura. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i ka garantuar këto shtete se deklarata nuk shkel në asnjë formë sovranitetin e tyre dhe u bëri thirrje për nënshkrim.