Bullgaria të hënën i është bashkuar numrit gjithnjë e më të madh të shteteve të Bashkimit Evropian, që janë pozicionuar kundër paktit të OKB-së, pakt ky që synon rregullimin e trajtimit të migrantëve në mbarë botën.
Pakti Global për Migrim të Sigurt dhe të Rregullt ishte miratuar në korrik nga të 193 shtetet anëtare, me përjashtim të SHBA-së, e cila u tërhoq gjatë vitit të kaluar. Miratimi kishte ardhur pas fluksit më të madh të migrantëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, shumica prej të cilëve refugjatë të konflikteve në Lindjen e Mesme, shkruan Reuters, transmeton Koha.net.
Megjithatë, qeveritë e krahut të djathtë në Hungari dhe Austri kanë bërë të ditur që nga ajo kohë se nuk do ta nënshkruajnë dokumentin final, gjatë një ceremonie në Maroko, shkaku i shqetësimeve rreth mjegullimit të vijës ndarëse midis migrimit të ligjshëm dhe atij të paligjshëm. Polonia, Republika Çeke dhe tani Bullgaria kanë dhënë sinjale se mund ta ndjekin këtë shembull.
“Qëndrimi i qeverisë bullgare është se nuk do t’i bashkohet paktit global të OKB-së rreth migrimit”, ka thënë zv.kryetari i partisë kryesore pushtetare të qendrës së djathtë, GERB, Tsvetan Tsvetanov, pas takimit të udhëheqësve të koalicionit.
Duke folur në Berlin të hënën, kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka bërë apel për një front të përbashkët të BE-së rreth migrimit dhe çështjeve tjera.
“Nëse një apo dy shtete largohen nga pakti i OKB-së për migrim, atëherë ne si BE nuk jemi në gjendje që t’i mbrojmë interesat tona”, ka thënë ai gjatë një samiti të biznesit.