Protestuesit anti-Vuçiq hyjnë në objektin e RTS-së Foto: AP

Policia dëbon demonstruesit nga RTS-ja, opozita thërret për protestë nesër gjatë konferencës së Vuçiqit

16 March 2019 22:01
01:02

Pjesëtarë të njësive speciale dhe të xhandarmërisë kanë nxjerrë liderët opozitarë dhe demonstruesit të cilët në orët e vona të së shtunës hynë në ndërtesën e Radiotelevizionit të Serbisë në qendër të Beogradit. 

Para ndërtesës ishte vendosur një kordon policie që kanë penguar disa qindra njerëz që kërkonin nga drejtuesit e televizionit t’u jepet rasti të njoftojnë publikun për protestat të cilat po mbahen tash e më shumë se tre muaj në tërë vendin. 

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka njoftuar se një person është ndaluar për shkak se ka sulmuar policinë, dhe se Policia, “me përdorim minimal të dhunës”, kanë nxjerrë liderët opzitarë dhe demonstruesit nga ndërtesa e RTS-së. 

Gjatë mbrëmjes u bë e ditur se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do t’i drejtpohet opinionit të dielën në mesditë për ngjarjet e sotme. 

Lideri I lëvizjes opozitare “Dveri”, Boshko Obradoviq, u ka bërë thirrje qytetarëve që të vijnë në konferencën e Vuçiqit me gazetarë të dielën. 

“Shihemi nesër 5 minuta në 12 para Presidencës”, ka thënë Obradoviq. 

22:01

Protestuesit anti-Vuçiq hyjnë në objektin e RTS-së

Në protestën e radhës “Një nga pesë milionë”, qytetarët serbë pasi u mblodhën në platonë para fakultetit Filozofik në Beograd, u nisën për shëtitjen protestuese. Siç edhe paralajmëruan, ata bllokuan hyrjen në ndërtesën e Radio Televizionit të Serbisë, ndërsa një numër i protestuesve, nën drejtimin e liderit të Lëvizjes “Dveri”, Boshko Obradoviq, hynë në ambientet e shërbyesit publik.

Të pranishme ishin forcat policore të cilat nuk reaguan. Demonstruesit para RTS-së bllokuan të dy hyrjet e ndërtesës dhe thanë se do të qëndrojnë aty për dy orë, ndërsa organizuan edhe “Ditarin e Serbisë së lirë”.

“Hyrja e demonstruesve në ndërtesën e RTS-së paraqet kalimin e asaj linjës delikate e cila ndan shoqërinë nga anarkia e paligjshmëria”, ka thënë sot ministria e Kulturës dhe e Informacionit, e cila i bën thirrje grupit që ka hyrë në ndërtesën e RTS-së të tërhiqet, ndërsa mbështetësve të tyre u ka bërë thirrje për përmbajtje nga veprime të tilla, raporton Zëri i Amerikës në gjuhën serbe, transmeton Koha.net.

Image

Edhe pse situata ishte e qetë gjatë protestës, policia është grupuar në disa prej pikave kyçe në qendër të Beogradit.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, u ka bërë thirrje qytetarëve që të tërhiqen nga ndërtesa e shërbyesit publik dhe ka thënë se forcat policore do t’i mbrojnë gazetarët e punësuar në RTS.

“Ka pasur dhunë në një formë të rëndë, shteti do të duhet të reagojë, kushdo që ka hyrë dhunshëm në RTS, ka kryer dhunë dhe ka shkelur ligjin, ashtu edhe do të përgjigjet”, ka thënë ministri serb.

Obradoviqi thotë se Dragan Bujosheviq ka refuzuar kërkesën që organizatorët të kyçen jashtë rendit në programin e RTS-së dhe ka kërkuar që protestuesit të qëndrojnë, njofton “N1TV”.

“Do të qëndrojmë këtu dhe nuk do të lejojmë që Aleksandar Vuçiqi për shtat vjet të gënjejë këtë popull. O gënjeshtar i madh, të ka ardhur fundi, nga sot nuk ka më gënjeshtra, nga sonte RTS-ja do të jetë sërish e lirë”, ka porositur Obradoviqi.

Obradoviqi më parë pati thënë se e ka lutur televizionin tre muaj që të paraqitet në program, por kjo nuk ka ndodhur. Ai tha se “nuk do të vjedhim e as do të shkatërrojmë”.

“Kërkojmë një gjë të vogël – përfshirje të jashtëzakonshme në program dhe që përfaqësuesi i organizatorëve të protestës të paraqitet në atë transmetim të jashtëzakonshëm, e jo politikanë apo deputetë”, tha lideri i lëvizjes “Dveri”. Ka thënë se pas kësaj do të largohet menjëherë, se vetë do të kontrollojë nëse kanë ikur të gjithë.

Në protestë pjesëmarrës ishte edhe nënkryetari i Partisë Popullore dhe dramaturgu Sinisha Kovaçqviq, i cili ka thënë se beogradasit jetojnë në ‘qytetin e çmendurisë’ ku Viti i Ri festohet nga gushti deri në mars.

“E vetmja zgjidhje për Kosovës është largimi i Vuçiqit”, tha ai.

Protestuesit po kërkojnë që televizioni publik serb t’u kushtojë pesë minuta në programet e tyre informative, që shërbimi publik të raportojë për opsionet e tyre politike dhe që drejtori i përgjithshëm i RTS-së, Dragan Bujosheviq dhe redaktori i programit informativ, Nenad L. Stefanoviq, të japin dorëheqje.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme