Botë

Dorëhiqet Sekretari amerikan i Mbrojtjes

Sekretari i Mbrojtjes në SHBA, James Mattis do të largohet nga pozita e tij në fund të muajit shkurt.

Ai ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë një ditë pas vendimit të presidentit Donald Trump që të tërheqë trupat nga Siria.

“Pasi ju keni të drejtë të keni një Sekretar të Mbrojtjes që ka pikëpamje më të përafërta me tuajat në këtë dhe temat tjera, unë besoj se është e duhur për mua që të largohem nga pozita ime”, ka thënë Mattis në letrën e tij drejt Trumpit.

Ai po ashtu ka thënë se fuqia e SHBA-së varet në pjesë të caktuara nga fuqia e aleatëve.

Trump ka reaguar me këtë rast duke shkruar në Twitter se Gjenerali Mattis “ishte ndihmë e madhe në gjetjen e aleatëve dhe shtyrjen që shtetet tjera të paguajnë obligimet e tyre ushtarake”.

Ai nuk ka përmendur një pasues, por ka thënë se një i tillë do të caktohet së shpejti.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Mattis ka thënë se është përpjekur të trajtojë të gjithë aleatët me respekt dhe ka përdorur gjitha mjetet e fuqisë amerikane për të siguruar mbrojtje të përbashkët.

Mattis pak kohë më parë kishte pritur kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një takim i cili u mor si përkrahje e SHBA-së për transformimin e FSK-së në Ushtri.