Liria e Mediave në botë gjatë vitit 2018 Foto: Politico

Liria e Mediave në botë gjatë vitit 2018

20 December 2018 22:37

Liria e Mediave përballet me kërcënim në rritje në mbarë globin, bazuar në raporte të grupeve që mbikëqyrin aktivitetin mediatik si Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe Gazetarët Pa Kufij. Të dyja këto organizata thonë se numri i gazetarëve të vrarë, të rrëmbyer apo të ndaluar gjatë detyrës u rrit në vitin 2018.

Në prill, një operativ i Shtetit Islamik që vepronte në Afganistan, pasi u prezantua si gazetar kreu sulm vetëvrasës duke lënë 26 të vdekur, përfshirë nëntë gazetarë që kishin shkuar në skenën e ngjarjes për të raportuar.

Në qershor, një person i armatosur u fut në redaksinë e një gazete në Meriland dhe hapi zjarr duke vrarë pesë punonjës të stafit të gazetës.

Në tetor, gazetari i Washington Postit, Jamal Khashoggi u vra në konsullatën saudite në Stamboll.

Kërcënimi ndaj gazetarëve, qoftë në formën e rrëmbimeve, vrasjeve apo burgimeve, është në rritje.

Vëzhguesit shprehen të alarmuar se “Gazetarët në vende demokratike po përballen gjithnjë e më shumë me kërcënime; gazetarë në vende ku nuk ka konflikt po paguajnë çmimin më të rëndë për punën e tyre”.

Sipas organizatës Gazetarët pa Kufij, të paktën 63 gazetarë profesionistë u vranë në 2018. Tre vendet më të rrezikshme për gazetarët ishin Afganistani, Siria dhe Meksika, sipas raportit të organizatës. Përveç vrasjeve ka plot forma të tjera sulmi, përcjell voa.

Janë shtuar rastet e burgosjes së punonjësve të shtypit. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se Kina, Turqia dhe Egjipti janë përgjegjëse për më shumë se gjysmën e numrit të burgosjeve.

Zyrtarët citojnë raste si Mianmarin që dënoi këtë vit dy gazetarë të Reutersit me shtatë vjet burgim.

“Ata zbuluan një krim lufte, një masakër. Prandaj u inskenua një skenar nga policia, duke i akuzuar ata se kishin vjedhur dokumente, megjithëse nuk kishin vjedhur gjë. Pas një procesi të rremë gjyqësor, ata u burgosën. Këta lloj gazetarësh që raportojnë në vendet e tyre mbi aktet e qeverisë së tyre, janë ata që po hasin në probleme”, thotë Robert Mahoney i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

“Ju dhe plot gazetarë të tjerë po nxisni dhunë duke mos raportuar të vërtetën. Lajmet e rreme po krijojnë dhunë”, ishte shprehur presidenti amerikan, Donald Trump, i cili shpeshherë kishte sulmuar gazetarët dhe mediat.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në komente të forta kundër medias, presidenti është bërë model për udhëheqës që duan të sulmojnë shtypin, thonë ekspertët.

“Duke i quajtur ‘lajme të rreme’, presidenti nënkupton se nuk janë raportime legjitime; kur thotë se janë në prag të falimentimit, ai nënkupton se nuk janë me rrjedhën e historisë. Kur thotë se janë armiku i popullit, ai do të thotë që ai vetë është populli dhe kritikat ndaj tij janë kritika ndaj popullit”, thotë Tom Rosenstiel me Institutin për Shtypin Amerikan.

Besimi i publikut tek shtypi amerikan ka shënuar nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Disa thonë se kjo rënie dëshmon prirjen globale të keqësimit të lirisë së shtypit. Por ka edhe zhvillime pozitive.

Në Etiopi, ku Kryeministri i ri Abiy Ahmed ka vënë në zbatim reforma demokratike, për herë të parë në 14 vjet nuk ka njoftime për gazetarë të burgosur. Por jo vetëm:

“Kemi parë ndryshime nga regjimet në vende si Ekuadori, Koreja e Jugut dhe Gambia, të cilat kanë rezultuar në disa përmirësime në indeksin e Lirisë së Shtypit”, thotë Margaux Ewen me Gazetarët pa Kufij.

Gazetarët vazhdojnë punën në çdo cep të globit, por raportet e vitit 2018 dëshmojnë se kjo punë po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe më e rrezikshme.

Së fundmi, edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e vlerësoi raportin vjetor të organizatës botërore “Reporterët pa Kufij” për gjendjen e lirisë së shtypit në Kosovë.

AGK konsideron se ky raport pasqyron gjendjen reale në vend ndërsa shpreh shqetësim për vështirësitë më të cilat përballen gazetarët kosovarë gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.

Organizata ndërkombëtare prestigjioze e gazetarëve thekson se mediet e Kosovës vuajnë nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë dhe indirekte politike, presioni financiar dhe pronësia e përqendruar.

“Gazetarët që kritikojnë autoritetet kosovare shpesh akuzohen se janë “tradhtarë” ose “simpatizantë të Serbisë”. Pak ditë pasi qeveria e tij e koalicionit u konfirmua, në shtator 2017, kryeministri Ramush Haradinaj i përshkroi gazetarët si “analfabetë” dhe i këshilloi ata që të “ktheheshin në shkollë. “Dy gazetarë hulumtues u sulmuan fizikisht pasi në artikujt e tyre kritikuan anëtarët e qeverisë dhe aleatët e ngushtë.” , thuhet në raportin e “Reporterët pa Kufij” , ku megjithatë Kosova ka shënuar një përparim të lehtë në indeksin botëror të lirisë së shtypit krahasuar me vitin e kaluar, thotë kumtesa, transmeton Koha.net.

Në barometrin e lirisë së shtypit, sivjet, Kosova është renditur në pozitën e 78-të ose për katër pozita më lartë se në vitin 2017 ku renditej në vendin e 82-të.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga institucionet qendrore që t`i marrin në konsideratë të gjeturat e këtij raporti dhe të angazhohen për krijimin e një mjedisi më të sigurt të të bërit gazetari dhe një ambienti miqësor në raport me gazetarët.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme