Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

13 mijë ukrainas u evakuuan përmes korridoreve humanitare të shtunën

Pushtimi i Ukrainës ka hyrë në ditën e 17-të. Qindra civilë ukrainas janë vrarë e plagosur deri më tani si pasojë e sulmeve të vazhdueshme të forcave ruse. Palët ukrainase dhe ajo ruse kanë zhvilluar deri më tani disa runde bisedimesh por pa ndonjë sukses

22:55 - Rusia cakton kryetarin e vet në Melitopol, pasi rrëmbeu atë legjitim

Administrata rajonale e Zaporozhye thotë se një kryebashkiake e re është caktuar në qytetin ukrainas Melitopol, i cili është nën kontrollin ushtarak rus, pasi kryetari i zgjedhur u rrëmbye të premten.


22:30 - 13 mijë ukrainas u evakuuan përmes korridoreve humanitare të shtunën

Rreth 13 mijë ukrainas u evakuuan përmes korridoreve humanitare të shtunën, tha zëvendëskryeministrja e Ukrainës - pothuajse dyfishi i numrit që arritën të largoheshin të premten.

Në një mesazh në internet, Iryna Vereshchuk tha se askush nuk kishte arritur të largohej nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, duke fajësuar forcat ruse për pengimin.

Edhe 24 të vdekur nga sulmi në një ndërtesë banimi në Kiev Botë 24 të vdekur nga sulmi në një ndërtesë banimi në Kiev

Moska kishte akuzuar më herët forcat ukrainase për bllokimin e qëllimshëm të njerëzve atje.


21:26 - Dëme të shumta në infrastrukturën civile në Mariupol

Imazhet e reja satelitore sot zbuluan dëme të mëdha në infrastrukturën civile dhe ndërtesat në të gjithë qytetin e Mariupolit në Ukrainën jugore, raporton Reuters.


21:04 - Zelensky i drejtohet popullit italian

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u është drejtuar mijëra protestuesve në të gjithë Italinë, ndërsa protestat pro-ukrainase u zhvilluan në disa qytete, duke përfshirë Torinon dhe Firencen.

Firence është binjakëzuar me Kievin që nga vitet 1960, kur kryeqyteti i Ukrainës dërgoi ndihma në qytetin toskan për ta ndihmuar atë të rimëkëmbet nga një përmbytje shkatërruese.

Protestuesit në qytet valëvitën flamujt ukrainas.

Në fjalën e tij, Zelensky ka thënë se 79 fëmijë ishin vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës. Ai bëri thirrje për më shumë sanksione kundër Moskës dhe u kërkoi udhëheqësve perëndimorë të vendosin një zonë ndalim-fluturimi mbi vend.


19:59 - Ushtarët rusë u urdhëruan të qëllonin mbi civilë

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës ka përgjuar thirrje telefonike që vërtetojnë se trupat ruse pranë Kharkivit ishin urdhëruar të qëllonin mbi civilët, përfshirë fëmijët, raporton Kyiv Independent.

Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut ka dokumentuar, që nga e marta, të paktën 170 njerëz të vrarë në rajonin e Kharkivit - duke përfshirë pesë fëmijë.


18:56 - 7 civilë të vdekur në Kiev pasi Rusia qëlloi në kolonën e evakuimit

Shërbimi i inteligjencës ukrainase thotë se shtatë civilë kanë vdekur pasi trupat ruse qëlluan mbi një kolonë evakuimi në rajonin e Kievit.


18:15 - Viktima, përleshjet dhe përpjekjet për evakuim - zhvillimet në ditën e 17-të

Përmbledhja e zhvillimeve të ditës së 17-të në luftën Ukrainë – Rusi.

Bisedimet diplomatike: Një telefonatë mes liderëve francezë, gjermanë dhe rusë nuk dha ndonjë rezultat konkret. Presidenti Emmanuel Macron dhe kancelari Olaf Scholz kërkuan armëpushim, por Vladimir Putin nuk tregoi ndonjë vullnet për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, thotë zyra e Macronit.

Shifrat e viktimave: Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u tha gazetarëve se rreth 1300 trupa ukrainase janë vrarë në 17 ditët e para të pushtimit rus. Burimet perëndimore vlerësuan të premten se rreth 6000 trupa ruse janë vrarë gjithashtu në atë periudhë.

Përpjekjet për evakuim: Korridoret humanitare ishin ngritur nga Mariupol, Sumy dhe qytete e fshatra jashtë kryeqytetit Kiev. Por bombardimet e vazhdueshme ruse në disa vende, përfshirë afër Kievit, i kanë bërë gjërat më të vështira. Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov, i tha BBC-së se një autokolonë ishte nisur nga Zaporizhzhya për në qytet duke transportuar ndihma dhe autobusë për evakuimet, por nuk ishte e qartë nëse do të kalonte.

Përleshje në afërsi të Kievit: Ndërsa gjërat kanë qenë të qeta në qendër të kryeqytetit, përleshjet kanë vijuar në periferi. Inteligjenca britanike thotë se pjesa më e madhe e forcave ruse janë brenda 25 km nga qendra. Zyrtarët ukrainas kanë frikë se rusët mund të përgatiten për të nisur një sulm në shkallë të gjerë.

Zemërimi për rrëmbimin e kryebashkiakut: Qindra banorë kanë dalë në rrugët e qytetit juglindor të Melitopolit për të protestuar kundër rrëmbimit të kryetarit të tij nga forcat ruse. Presidenti i Ukrainës Zelensky kërkoi lirimin e tij të menjëhershëm dhe akuzoi rusët për "kalim në një fazë të re terrori".


17:17 - Ukraina akuzon Rusinë për planifikimin e referendumit për pavarësi në rajonin jugor

Një zyrtar i lartë ukrainas në rajonin jugor të Khersonit, i cili tani është nën pushtimin rus, ka thënë se rusët po i bëjnë presion këshillit rajonal për të rënë dakord për referendum mbi "pavarësinë" e zonës nga Ukraina.


16:59 - Rusia po punon me mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së për të garantuar sigurinë e Chernobylit

Rregullatori bërthamor rus, Rosatom, thotë se aktivitetet për të siguruar funksionimin e sigurt të centralit bërthamor të Chernobylit po kryhen në koordinim me mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së, Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.


16:35 - Putin nuk tregoi gatishmëri për t'i dhënë fund luftës, thotë zyrtari i presidencës franceze

Presidenti rus Vladimir Putin nuk tregoi gatishmëri për t'i dhënë fund luftës me Ukrainën gjatë një telefonate sot me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz, ka thënë zyrtari, raporton Reuters.


15:36 - Rreth 1,300 ushtarë ukrainas të vrarë deri më tani

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se se rreth 1,300 trupa ukrainase janë vrarë në 17 ditët e para të pushtimit rus.

Këtë deklaratë Zelensky e ka bërë gjatë një konference para gazetarëve të shtunën.

Burimet perëndimore vlerësuan të premten se rreth 6,000 trupa ruse janë vrarë gjithashtu në të njëjtën periudhë.

Zelensky ka thënë se rreth 500-600 trupa ruse janë dorëzuar te forcat ukrainase të premten.


15:05 - Biseda 75-minutëshe Macron-Putin-Scholz për Ukrainën

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë, në telefonatën që ka pasur me presidentin rus Vladimir Putinin.

Reuters raportoi se telefonata 75-minutëshe përfshiu Putinin, Macronin dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholzin.

Gjatë bisedës, Putini i njoftoi për bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës.


14:02 - Rusia paralajmëron Perëndimin se dërgesat me armë në Ukrainë janë target i ushtrisë

Rusia paralajmëron dërgesat e armëve perëndimore në Ukrainë, tashmë objektiva ushtarake 'legjitime'

Një diplomat i lartë rus ka paralajmëruar se Moska tani i konsideron dërgesat e armëve në Ukrainë si objektiva legjitime ushtarake.

Në komentet që ngjallën frikë për përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit, zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov tha se Rusia e bëri të qartë qëndrimin ndaj SHBA-së, raporton skynews.

Ai tha se Rusia "paralajmëroi SHBA-në se dërgimi i armëve nga një numër vendesh që ajo orkestron nuk është vetëm një veprim i rrezikshëm, është një veprim që i bën ato kolona, objektiva legjitime".

Ryabkov dënoi gjithashtu sanksionet e SHBA-së kundër Moskës si një "përpjekje të paprecedentë për t'i dhënë një goditje serioze sektorëve të ndryshëm të ekonomisë ruse", por këmbënguli se Rusia do të vepronte në një mënyrë të matur për të shmangur dëmtimin e vetvetes.

Ai tha se Rusia nuk kishte ndërmend të dëbonte mediat dhe bizneset perëndimore, duke shtuar: "Ne nuk do ta përshkallëzojmë situatën".


12:35 - Zelensky: Ushtria ruse ka përjetuar humbjet më të mëdha në dekada


12:08 - Vazhdojnë sulmet ruse pavarësisht planeve të evakuimit

Sulmet ruse vazhdojnë në vendet ku ishte planifikuar evakuimi i civilëve, kanë thënë guvernatorët e të rajoneve të Kievit dhe Donetsk.

Edhe Rusia intensifikon sulmet mbi Ukrainë, të paktën 13 të vrarë Botë Rusia intensifikon sulmet mbi Ukrainë, të paktën 13 të vrarë

Më bërë ishin bërë plane për hapjen e korridoreve humanitare dhe nxjerrjen e njerëzve nga qytetet nën sulmin rus – përfshirë Mariupolin, i cili ndodhet në rajonin e Donetskut.

"Situata është e ndërlikuar, ka granatime të vazhdueshme," citohet të ketë thënë guvernatori i Donetsk Pavlo Kyrylenko për mediat lokale.

Më parë, zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk shprehu shpresën e saj se dita mund të shkojë mirë dhe "Rusia do të përmbushë detyrimet e saj për të garantuar regjimin e armëpushimit".

Përpjekjet e mëparshme për të nxjerrë njerëzit nga Mariupol, të cilët po jetojnë atje në mungesë ushqimi, uji dhe energjie elektrike, kanë dështuar.

Diku tjetër, ka pasur raportime se autobusët e evakuimit dhe dy kamionë që transportonin ndihma humanitare ishin nisur për në qytetin lindor të Sumy.


11:46 - Goditet aeroporti ushtarak ukrainas në jug të Kievit

Një aeroport ushtarak ukrainas në jug të Kievit është goditur nga raketat ruse.

Kryebashkiaku i Vasylkiv, ka thënë se sulmi shkatërroi pistën dhe një depo karburanti, si dhe shkaktoi shpërthime në një dyqan municionesh.

Edhe qyteti verior i rrethuar i Chernihiv ka parë granatime intensive. Ndërkohë, nëqytet nuk ka furnizim me ujë dhe disa pjesë të tij nuk kanë energji elektrike.

Porti jugor i Mykolaiv, i cili shtrihet midis qytetit të pushtuar nga Rusia të Khersonit dhe qytetit të tretë më të madh të Ukrainës, Odessa, ka parë gjithashtu bombardime të mëtejshme.

Një spital i kancerit atje është goditur, megjithëse raportet fillestare sugjerojnë se nuk është dëmtuar rëndë.


11:14 - Rusët bombarduan xhaminë në Mariupol, brenda po fshiheshin 80 persona

Xhamia e “Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm” dhe gruas së tij Roxolanas (Sulltanesha Hurrem) në Mariupol, është bombarduar nga forcat ruse, ka njoftuar ministria e Jashtme ukrainase.

Ministria ka thënë se më shumë se 80 të rritur dhe fëmijë po fshiheshin aty nga bombardimet, përfshirë shtetas turq.

Nuk ka raportime të tjera nëse ka pasur të vdekur apo të lënduar.


10:56 -  Priten sulme të reja mbi Kiev, Kharkiv dhe Donbas

Një valë e re e sulmeve ruse po pritet të godasë rajonin e Kievit, Kharkivit dhe Donbasit, ka thënë një këshilltar i zyrës së presidentit të Ukrainës.

Oleksiy Arestovych ka thënë se Ukraina nuk ka pritur që Bjellorusia t’i bashkohet forcave pushtuese ruse.

Zona përreth Kievit ku trupa ruse janë parë është aeroporti Hostomel dhe në Lubyanka; Irpini dhe Bucha kaë qenë nën bombardime të rënda; Velyka Dymerka u godit nga raketa, ashtu si Baryshivka.


10:48 - Konvoji humanitar tenton sërish të arrijë në Mariupol

Një tjetër përpjekje po bëhet të shtunën për të dërguar ndihma humanitare në qytetin e rrethuar të Mariupolit dhe të nxjerrë jashtë mijëra civilë.

Qyteti ka qenë nën sulme ajrore të rëndë nga forcat ruse për më shumë se një javë, ku këshilli i qytetit ka thënë se afër 1600 njerëz janë vrarë.

Të shtunën u tha se është hapur një korridor. Më shumë se 90 tonë ushqim dhe ilaçe po shkojnë atje.


09:11 - Depoja e ushqimit në Kiev nën flakë

Një depo e ruajtjes së ushqimit të ngrirë në rajonin e Kievit mori flakë të shtunën si pasojë e bombardimeve, sipas një postimi nga Shërbimet Shtetërore të Emergjencave të Ukrainës (SES).

Imazhet e publikuara nga SES treguan punonjësit e urgjencës që po vraponin për të shuar një flakë masive në atë që dukej të ishte një magazinë njëkatëshe, ndërsa tymi ngrihej lart nga flakët.

SES tha se zjarri ishte lokalizuar dhe se zjarrfikësit po punonin ende për shuarjen e flakëve.

Deri më tani nuk raportohet për viktima.

Është raportuar se edhe dy depo nafte në Kiev janë nën sulmet ruse.


09:00 - Rusia sulmon Spitalin Onkologjik në Mykolayiv

Trupat ruse bombarduan një spital rajonal onkologjik në qytetin jugor të Ukrainës, Mykolayiv, ka bërë të ditur në Facebook kreu i Autoritetit Rajonal të Shëndetit të qytetit, Maksym Beznosenko.

"Vetëm një zvarritës mund të sulmojë të dobëtit. Ata të dobët janë pacientët tanë. Këta përbindësha sapo granatuan spitalin onkologjik. Një spital që ofron kujdes për pacientët me kancer nga i gjithë rajoni i Mykolayiv”, ka shkruar ai në një postim.

"Nëse urrejtja e armikut bashkon - ne jemi tashmë kombi më i bashkuar në botë. Nëse Rusia i sheh pacientët me kancer si një kundërshtar të barabartë që është një kërcënim , ajo nuk është thjesht e sëmurë, ajo tashmë është në agoni. Dhe kjo është e vetmja gjë që mund të na gëzojë në rrethana të tilla”, ka shtuar ai.


08:33 - Forcat ruse tani vetëm 25 km larg Kievit

Në përditësimin e fundit të inteligjencës, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar thotë se "pjesa më e madhe" e forcave ruse janë tani 25 km nga qendra e qytetit të Kievit.

Kjo ministri thotë se kolona e madhe ruse në veri të kryeqytetit është shpërndarë dhe "ka gjasa për një përpjekje për të rrethuar qytetin".

“Mund të jetë gjithashtu një përpjekje e Rusisë për të reduktuar cenueshmërinë e saj ndaj kundërsulmeve ukrainase”, thotë Ministria e Mbrojtjes.

Ndërkohë, qytetet e Chernihiv, Kharkiv, Mariupol dhe Sumy janë të rrethuara dhe përballen me granatime të rënda, thuhet në raportin e fundit.


07:34 - Mëngjesi i së shtunës nisi me shpërthime në disa qytete të reja

Shpërthime të vazhdueshme janë dëgjuar herët të shtunën në qytetet Nikolaev, Dnipro dhe Kropyvnytskyi, raporton BBC.

Sipas një kanali Telegram të drejtuar nga autoritetet lokale, sistemi i mbrojtjes ajrore të Dnipro u aktivizua me sukses.

Nuk është e qartë se sa shpërthime goditën Dnipro-n, por autoritetet shtuan se ata po prisnin të dëgjonin zyrtarisht përgjigjen nga ushtria.


07:30 - Zelensky – nënave ruse: Mos i dërgoni fëmijët tuaj në luftë

Presidenti ukrainas, Vlodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje nënave ruse në adresimin e tij të fundit të premten, duke u kërkuar atyre që të mos i dërgojnë në fushën e betejës dhe të ushtrojnë vigjilencë për vendndodhjen e tyre.

"Dua t'ua them këtë edhe një herë nënave ruse, veçanërisht nënave të rekrutëve. Mos i dërgoni fëmijët tuaj në luftë në një vend të huaj", ka thënë Zelensky.

Edhe Valë e ashpër e sulmeve ruse në Ukrainë, zbehen përpjekjet për marrëveshje Botë Valë e ashpër e sulmeve ruse në Ukrainë, zbehen përpjekjet për marrëveshje

Ai u bëri thirrje atyre që të "mos i besojnë premtimeve se do të dërgohen diku për stërvitje ose kushte jo luftarake", dhe u kërkoi atyre "të veprojnë menjëherë" nëse ka dyshime se ata po dërgohen për të luftuar në Ukrainë.

Fjalimi vjen pasi Rusia pranoi për herë të parë të mërkurën praninë e rekrutëve në radhët e forcave të saj në Ukrainë, shumë prej të cilëve nuk ishin të trajnuar për betejë dhe njoftoi se një numër prej tyre ishin zënë rob.