Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

11 imigrantë mbyten nga fundosja e anijes në bregdetin e Turqisë

11 imigrantë, në mesin e tyre tetë fëmijë, janë mbytur kur anija e tyre u fundos në perëndim të bregdetit të Turqisë.

Ekipet kanë shpëtuar tetë persona nga anija që u fundos në Cesme të Detit Egje. Turqia, për vite me radhë, ka shërbyer si rrugë transite për imigrantët që kanë synuar Evropën, transmeton KTV. Cesme është vetëm 15 kilometra larg qytetit Chios në Greqi.

Në këtë qytet janë të strehuar mijëra imigrantë që jetojnë në kushte të rënda. E numri i atyre që kalojnë në Evropë përmes Turqisë është rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Shumica e këtyre imigrantëve janë nga Afganistani, Pakistani dhe Siria.

Vetëm gjatë vitit 2019, autoritetet turke kanë kapur 60 mijë persona duke tentuar të kalojnë Detin Mesdhe. Turqia është shtëpi e katër milionë refugjatëve, 3.6 milionë prej tyre janë nga Siria.