Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

107 skllevërit e Paqësorit

Në vend që t’u ofroheshin punë legjitime, 107 burra nga Bangladeshi u skllavëruan në Vanuatu, duke punuar nën kërcënimin e dhunës e madje edhe me vdekje

(Al Jazeera) – Biznesmeni Mustafizur Shahin nga Bangladeshi la vendin e tij për të punuar jashtë shtetit, por ai nuk priste që do të mbahej rob në një ishull të Paqësorit, ku u detyrua të punojë pa pagesë, u maltretua fizikisht dhe shpëtoi vetëm pasi guxoi të arratisej.

Ajo që u mendua të ishte një shans i jetës, duke punuar me një sipërmarrës milioner dhe me zinxhirin e tij të dyqaneve të rrobave, doli të ishte skllavëri moderne ku kërcënimi për lëndime fizike e madje edhe me vdekje, varej mbi 50-vjeçarin, Shahin.

Shahini ndihej si të ishte “një shpirt i gjallë, në një trup të vdekur”, teksa rrëfen ngjarjet që e shpien atë nga rrugët e Bangladeshit, në brigjet e Vanuatus në Paqësor, për të qenë hiq më shumë se një skllav, që nuk pati çfarë të hante dhe jetoi nën frikën e vazhdueshme.

Shahini është vetëm një nga më shumë se 100 burrat nga Bangladeshi të dërguar në kombin e vogël në periudhën 2017 - 2018, si pjesë e një skeme të udhëhequr nga shtetasi tjetër i Bangladeshit, Sekdah Somon, një trafikant që hiqej si pronar i një zinxhiri ndërkombëtar dyqanesh.

Rasti i 107 burrave nga Bangladeshi u shndërrua në incidentin më të madh të dokumentuar të trafikimit të qenieve njerëzore dhe skllavërisë në rajonin e Ishujve të Paqësorit.

Edhe Dy varka me refugjatë dyshohet se janë fundosur pranë Birmanisë, besohet për mbi 500 të vdekur Botë 1 j. më parë Dy varka me refugjatë dyshohet se janë fundosur pranë Birmanisë, besohet për mbi 500 të vdekur

Megjithatë, edhe pse kanë kaluar pesë vjet që kur abuzimi dhe torturat e Shahinit dhe kolegëve të tij, dolën në dritë për herë të parë, autoritetet kanë frikë se vende të tilla si Vanuatu vazhdojnë të jenë destinacione për njerëzit që kërkojnë një jetë më të mirë.

Mënyra sesi abuzimi i 107 burrave nga Bangladeshi nuk u kuptua për kaq shumë kohë, pavarësisht shenjave paralajmëruese, tregon se si operacionet në dukje legjitime të rekrutimit të huajve kanë arritur të maskojnë rrjetet kriminale dhe cenueshmërinë e Ishujve të Paqësorit ndaj operacioneve të trafikimit.

Sprova e Shahinit filloi në qershor të 2018-s, kur ai u takua me bashkëpunëtorët e biznesmenit Sekdah Somon, në një stacion autobusi në Tangail, në veriperëndim të Dhakas.

Somoni ishte një “biznesmen multimilioner”. Kështu iu tha Shahinit, dhe se drejtonte biznese të modës në mbarë botën.

Shahini bëri kërkimet e tij. “Price”, rrjet i dyqaneve dhe shumë i njohur në Afrikën e Jugut, për të cilin Somoni pretendonte se punonte, ishte shumë i spikatur në internet. Ai madje pa një artikull, të shkruar në gazetën lokale të Vanuatu-s, ku thuhej se “Price po vjen” në vendin e Paqësorit. Në artikull citohej Somoni si dhe ministra të lartë të Vanuatu-s, të cilët flisnin për projektin e ri. Në mendjen e Shahinit, gjithçka dukej se ishte në rregull.

Pasi mori një kredi për biznesin e tij të vogël, por të suksesshëm, të veshjeve në Bangladesh, dhe u pagoi mijëra dollarë Somonit dhe bashkëpunëtorëve të tij për të organizuar udhëtimin, Shahini bëri gati valixhet, i tha lamtumirë gruas dhe fëmijëve të tij dhe u nis për në Vanuatu për të filluar punën e re te rrejti “Price”.

Kjo ishte pesë vjet më parë. Shahini ende nuk është kthyer në shtëpi.

Pasaporta iu mor Shahinit me të mbërritur në kryeqytetin Port Vila, një qytet i njohur si destinacion për anijet luksoze që ankorohen në Paqësor.

Por ai u mbajt rob në një shtëpi njëkatëshe në bregdet dhe ushqehej kryesisht me lakra e oriz. Lëvizjet e tij ishin të kufizuara.

Në të vetmin rast që iu ofrua mish, Shahini u detyrua të therte një lopë shtatzënë. Ai beson se të qenit i detyruar për të prerë kafshën ishte vetëm një torturë tjetër në një litani abuzimi të mbikëqyrur nga drejtuesi i operacionit të skllavërisë, Somoni.

Image
Disa nga viktimat që u mbajtën si skllevër në Vanuatu

Marka e vjedhur, front për operacionin e skllavërisë

Prokurori publik i Vanuatu-s shpalli Somonin, gruan e tij dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë si fajtorë në vitin 2022 për trafikim njerëzor, skllavëri, pastrim parash, kërcënime për vrasje, sulme dhe shkelje të ligjeve të punës të vendit.

Ditën që Shahini mbërriti në Vanuatu, u godit me grushte nga disa burra nga Bangladeshi që vepronin si punëtorë të Somonit në ishull.

Më pas, rrëmbyesit e Shahinit i zhvatën 14 mijë dollarë brenda disa javësh.

Dhe nëse nuk do të kishte më para për të ofruar, fotot e tij, i varur me kokë poshtë, i torturuar dhe i përgjakur, do t’i dërgoheshin familjes së tij në Bangladesh.

Të zemëruar, të frikësuar dhe të pashpresë, para se të zbardhte dita një mëngjes, Shahini dhe dy viktima të tjera – në kohën kur rrëmbyesit e tyre ishin ende duke fjetur – u arratisën nga shtëpia njëkatëshe ku po mbaheshin. Ata vrapuan drejt plazhit dhe ndoqën vijën bregdetare deri kur panë rrugën dhe ku Shahini i bëri autostop një furgoni që po kalonte.

“Stacioni i policisë”, i tha Shahini shoferit.

Në vetëm pak muaj, Somoni ishte në gjendje të trafikonte Shahinin dhe dhjetëra burra të tjerë nga Bangladeshi në Vanuatu pa ngritur dyshimet e autoriteteve. Shumë prej tyre iu tha se po udhëtonin legalisht në Australi, Kubë ose në territorin francez të Paqësorit për të punuar në dyqanet e “Price”.

Dokumentet dhe licencat e falsifikuara të biznesit, si dhe ryshfetet, u hapën rrugë trafikantëve që të arrinin në Vanuatu.

Viktimat e Somonit u bënë skllevër të tij, që punonin për pak ose aspak të ardhura nën kërcënimin e dhunës. Pasi burrat arrinin në Vanuatu, detyroheshin të punonin në ndërtim, sipas një raporti të lajmeve. Punëtorët detyroheshin gjithashtu të ndërtonin dhe shisnin mobilje prej druri. Nëse refuzonin ose ankoheshin, rriheshin. Punët dhe pagat e tyre të premtuara nuk u realizuan kurrë.

Edhe “Punësimi në Kosovë” çon në arrestime në Nepal Arbëri 3 j. më parë “Punësimi në Kosovë” çon në arrestime në Nepal

Hetuesit besojnë se Somoni nuk kishte ndërmend të krijonte një sipërmarrje të vërtetë biznesi në Vanuatu, por thjesht donte t’u merrte para viktimave të tij dhe t’i linte të bllokuar.

Hetuesit zbuluan më vonë se Somoni thjesht kishte marrë markën dhe logon nga kompania e Afrikës së Jugut. Qindra njerëz kalonin pranë vitrinës çdo ditë, duke mos e ditur se ishte një front për një operacion jo të sofistikuar skllavërie.

Kur Somoni u arrestua, ai e mohoi se ishte nga Bangladeshi dhe pretendoi se ishte shtetas i Zimbabvesë, megjithëse hetuesit më vonë zbuluan se pasaporta e tij ishte e falsifikuar.

Image
Mustafizur Shahini nuk është kthyer ende në Bangladesh

Territori ligjor i Vanuatus

Natyra unike e krimit dhe numri i viktimave të Somonit krijoi probleme gjatë gjyqit të gjatë dhe të lodhshëm në Port Vila.

Qeveria e Vanuatus nuk kishte mjetet për të ushqyer dhe akomoduar 107 viktimat, të cilët tani ishin dëshmitarët kryesorë.

Pasi vuajtën nga uria për muaj të tërë në robërinë e Somonit, shumë mbetën të uritur edhe një herë tjetër, derisa drejtësia të zinte vend.

Pastaj kishte vështirësi në dënimin e Somonit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Vanuatu nuk ka ndonjë ligj specifik që përcakton skllavërinë dhe trafikimin, kështu që prokurori publik i Vanuatus, Josiah Naigulevu, u detyrua që të përdorte konventat ndërkombëtare, të paprovuara deri më tani në gjykatat e Vanuatus, për të ngritur akuzat kundër katër të pandehurve.

Taktika e tij ligjore funksionoi dhe gjyqtari pranoi akuzat, duke e bërë këtë çështjen më të madhe të trafikimit në rajon.

Në qershor të vitit 2022, Somoni, i cili ishte 37-vjeçar në atë kohë, gruaja e tij 27-vjeçare, Buxoo Nabilah Bibi, dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë, u dënuan për trafikim, skllavëri, pastrim parash, sulm, kërcënime për vrasje dhe punësim pa leje pune.

Somoni është ende në burg në Vanuatu, duke vuajtur dënimin 14-vjeçar.

Katër kriminelët u urdhëruan gjithashtu që t’u paguajnë dëmshpërblim 107 viktimave, një total që kap vlerën e mbi 1 milion dollarëve, por kjo shumë nuk është paguar ende.

Që nga gjykimi, të gjitha viktimat janë kthyer në Bangladesh, përveç Shahinit.

Meqenëse ai u bë një nga dëshmitarët kryesorë në këtë rast, ai ka frikë se Somoni dhe bashkëpunëtorët e tij mund ta shënjestrojnë atë nëse ai kthehet në Bangladesh.

Ai mendon se është më e sigurt që të jetojë në Vanuatu dhe ka marrë gruan dhe fëmijët e tij për të jetuar me të.

Sprova e Shahinit nuk ka përfunduar ende. Statusi i tij i imigracionit nuk është zgjidhur dhe përpjekjet e tij për të fituar statusin e refugjatit përmes Kombeve të Bashkuara janë kundërshtuar.

Megjithatë, ai ka ende shpresë dhe synon të emigrojë një ditë në një vend ku mund të sigurojë një jetë më të mirë për familjen e tij.

Por, për momentin, Vanuatu është një shtëpi më e sigurt se Bangladeshi, tha Shahin.

Edhe Rreth 250 të zhdukur nga përmbysja e një anije në Oqeanin Indian Botë 3 muaj më parë Rreth 250 të zhdukur nga përmbysja e një anije në Oqeanin Indian

Përktheu: Forca Jashari