Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
BETIMI PËR DREJTËSI

Mustafa thotë se aktakuza ishte politike dhe e ngritur nga një “grup i përbashkët kriminal”

Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemjal Mustafa e ka konsideruar politike aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të cilën e ngarkonte për krim të organizuar në lidhje me veprën e shpërdorimit të detyrës zyrtare, së bashku me zyrtarët komunalë dhe operatorët ekonomikë.

“Unë mendoj që urdhri është i pastër politik, është ekzekutuar përmes kryeprokurorit në Gjilan, Jetish Malokut. Mandej Jetish Maloku i ka pas mekanizmat e vet, prokurorët e vet, e ka aktivizuar Afrim Shefkiun, që të gjithë këta njerëz në ndërkohë shohim që janë avancuar. Afrim Shefiku është avancuar nga Themelorja në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Jetish Maloku siç është i njoftuar prej atje, është avancuar në kryesues të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Agron Bajrami mbas Afrim Shefkiun, bashkëpunim një kohë kanë qenë mandej Agron Bajramin e ka marrë në PSRK i cili në ndërkohë tash ka fundi i këtij procesi është avancuar në Gjykatën e Apelit”, thotë Mustafa.

Ai shtoi se ishin prokurorët një ndërmarrje e përbashkët kriminale dhe se e kishte ditur fundin e këtij procesi gjyqësor.

“Për këtë ndërmarrje të përbashkët, po e quaj që tash andej është kriminale, nuk është më te ne, njerëzit kanë shkuar për pare janë avancuar dhe është gjë e keqe kjo, natyrisht. Unë e kam ditë fundin e kësaj krejt këtij procesi për shkak se megjithatë gjithë kohën e kam thënë kur më është dhënë rasti edhe publikisht, që për brenda këtij sistemi të drejtësisë tonë, përkundër që është i avarisur në masë të madhe, ka individë me integritet, ka individ që e kanë ruajtur dinjitetin e tyre profesional edhe njerëzor. Dhe sigurisht që meqenëse shqyrtohet kjo në disa shkallë kemi me has në trupi gjykues i cili ka me vendos drejtë dhe siç po shihet është një vendim i cili është drastik është një vendim tash i Gjykatës Themelore i trupit gjykues në Pejë”, shtoi Mustafa.