Përveç Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, problem me punëtorët që nuk dalin në punë kanë edhe ministritë e tjera, që sipas organizimit të mëhershëm të ministrive janë ajo e Ekonomisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria për Komunitete dhe Kthim, si dhe Ministria e Infrastrukturës. Këto ministri i kanë paguar disa punëtorë pa shkuar fare në punë që nga viti 2016, kur edhe ka ndodhur nënshkrimi i akt-emërimeve.
Për emisionin “Betimi për Drejtësi”, disa nga këto ministri kanë treguar se çfarë hapash do të ndërmarrin ndaj të njëjtëve.
Ministria e Ekonomisë edhe në vitin 2021 ka paguar 18 punonjës të komunitetit serbë pa dalë asnjë ditë në punë në shumën prej 93 mijë e 435 euro. Ndërsa për vitin 2020, sipas organizimit të atëhershëm kjo ministri quhej Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, e që kishte 56 punonjës të komunitetit serbë, prej të cilëve 54 prej tyre nuk kishin dalë asnjë herë në vendin e punës. Për të njëjtit ministria kishte paguar 264 mijë e 995 euro. Nga Ministria e Ekonomisë thonë se këtë çështje janë duke e trajtuar.
“Aktualisht, Ministria e Ekonomisë e ka në plan të veprimit trajtimin e kësaj çështje dhe është në proces të gjetjes së modalitetit më të zbatueshëm dhe praktik në këtë drejtim”, thuhet në përgjigje për emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2020 kishte paguar 21 punëtorë pa pasur asnjë evidencë që të njëjtit kanë kryer ndonjë punë, e që buxhetit të Ministrisë i kanë kushtuar 158 mijë e 989 euro.
Nga kjo ministri është thënë se brenda disa ditësh do të bëjnë publike se si do të veprojnë me këta punëtorë për të cilët ministria paguan mijëra euro e nuk kryejnë ndonjë punë.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kohë më parë veç ka nisur shqyrtimin e rastit të këtyre të punësuarve. Çështja për dhe rreth të cilëve, është e trashëguar nga e kaluara, gjegjësisht, nga veprimet e vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në vitin 2015 për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit. MKRS për pak ditë, do të bëjë publike vendimet për rastet e tilla duke siguruar rivendosje të ligjshmërisë dhe hapa konkretë në drejtim të adresimit të të gjeturave të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës. Aktualisht në MKRS janë të punësuar 22 persona nga ky kontingjent”, thuhet në përgjigje për emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV.
Edhe
Miliona euro për serbët e angazhuar nëpër ministri e që nuk shkojnë në punë
Ministria e Infrastrukturës për vitin 2020 ka paguar 162 mijë euro për 32 zyrtarët e integruar në këtë ministri, e për të cilët nuk ka asnjë evidencë as që kanë kryer ndonjë punë e as që kanë dalë në vendin e tyre të punës.
Nga kjo ministri e konfirmojnë se kanë probleme për ofrimin e kushteve elementare për punë për këta punonjës.
“Sa i përket të punësuarve përveç Departamentit për Inspektim të Mbrojtjes së Mjedisit, Natyrës, Ujërave, Ndërtimit dhe Planifikimit dhe Institutit të Planifikimit Hapësinor të tjerët nuk kanë aktivitet. Të punësuarit në Departamentin për Inspektim të Mbrojtjes së Mjedisit, Natyrës, Ujërave, Ndërtimit dhe Planifikimit, nga data 22.03.2022 ka filluar të organizohen takime të rregullta javore me mbikëqyrësit e tyre nga të cilët marrin detyra dhe për punën e tyre raportojnë tek ta. Instituti i Planifikimit Hapësinor në kuadër të tij ka 2 të punësuar nga ish mbrojtja civile, përkundër vështirësive siç janë: mungesa e vendit elementar të punës; mungesa e pajisjeve elementare të punës; komunikimi shpesh jo normal, për shkak të problemeve gjuhësore dhe teknike; etj., është arritur një komunikim optimal, në të cilin një ndihmesë të madhe e ka ofruar UN-Habitat-i, i angazhuar në ngritjen e kapaciteteve humane dhe teknike për komunat e veriut. Me përkrahjen e tyre, zyrtarët në fjalë disa herë kanë qenë të përfshirë në programe të trajnimit për procesin e hartimit dhe menaxhimit të dokumenteve të planifikimit hapësinor dhe urban për nivelin komunal. Deri më tash, kemi pranuar raporte të rregullta javore të daljes në punë në drejtoritë përkatëse komunale të urbanizmit dhe në disa raste edhe raporte tematike të nevojshme për procesin e hartimit të dokumenteve hapësinore qendrore. Ndërsa gjatë kësaj jave pritet të organizohet një takim me të gjithë zyrtarët nga ish mbrojtja civile të cilët janë të punësuar në MMPHI. Të gjithë të punësuarit marrin pagat e tyre mujore në bazë të akt-emërimeve”, thuhet në përgjigje për emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV.
-
Mbi një milion euro për 211 punëtorë ministrorë, pa dalë fare në punë
-
20 serbë të sistemuar në MPB që nga viti 2015 paguhen pa punuar
-
Spanca: 800 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit 129 punonjësit serbë pa shkuar fare në punë
-
Paga të dyfishta për ish-pjesëtarë të organizatës që Qeveria e shpalli terroriste?