Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
BETIMI PËR DREJTËSI

IKD-ja thotë se projektbuxheti i vitit 2023 nuk e ka në fokus drejtësinë

Medina Kadriu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se projektbuxheti për vitin 2023 nuk e ka në fokus drejtësinë. Sipas saj, ky buxhet nuk i adreson nevojat reale që ka sistemi i drejtësisë për ngritjen e efikasitetit dhe efektivitetit.

“Fillimisht duhet theksuar faktin se mungesa e rezultateve të sistemit të drejtësisë nuk është vetëm si pasojë e mungesës së resurseve financiare për këtë sektor. Siç e kemi thënë vazhdimisht, mungesa e rezultateve të sistemit të drejtësisë, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të profilit të lartë ndërlidhet me mungesën e vullnetit për të luftuar këto dukuri kriminale”, ka thënë ajo.

Por, sipas Kadriut, mungesa e resurseve financiare është njëra prej arsyeve të mungesës së efikasitetit.

“Fillimisht, duhet të theksojmë faktin se për ngritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë nuk është i mjaftueshëm vetëm ngritja e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Krahas ngritjes së numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve kërkohet domosdoshmërish edhe staf i mjaftueshëm mbështetës, në mënyrë që gjyqtarët dhe prokurorët të kenë mundësi që punën e tyre ta kryejnë në mënyrë efikase”, ka thënë Kadriu.

“Kështu, krahas gjykimit të rasteve, të njëjtit obligohen që të kryejnë edhe të gjitha punët e tjera administrative dhe rrjedhimisht bie edhe efikasiteti i gjyqtarit. E gjithë kjo ndodhë për faktin se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të rekrutuar mjaftueshëm staf për sistemin e drejtësisë. Po ashtu, ka edhe obligime të tjera të cilat në mungesë të resurseve financiare nuk mund të zbatohen nga KGJK dhe KPK”, ka thënë tutje Kadriu.

Edhe IKD: Drejtësia nuk është prioritet në buxhetin e shtetit Arbëri IKD: Drejtësia nuk është prioritet në buxhetin e shtetit

Hulumtuesja e IKD-së ka theksuar se buxheti për vitin e ardhshëm po konsiderohet si më i madhi ndërsa nuk parasheh rritje të buxhetit për sistem të drejtësisë.

“Ndonëse ka një progres të konsiderueshëm në këtë drejtim, zbatimi i këtij obligimi ligjor sfidohet nga mungesa e stafit, e cila mungesë vie si rezultat i pamjaftueshmërisë financiare për të rekrutuar pozita të reja. Mbi të gjitha këto nevoja, projekt buxheti për vitin 2023 nuk tregon progres të kënaqshëm në këtë drejtim dhe duket se nuk e ka fokus ngritjes e kapaciteteve të sistemit të drejtësisë, përkundër faktit se ky buxhet konsiderohet si buxheti më i madh që ka pasur Kosova deri tash”, ka përfunduar Kadriu.