BETIMI PËR DREJTËSI

Dyshimet për pazare politike në punësimin e Fehmi Selajt në Komunën e Dragashit

Fehmi Selaj

Një punësim në pozitën e zyrtarit civil në Komunën e Dragashit ka hapur një mori dyshimesh.

Fehmi Selaj, i cili mori këtë pozitë në maj të këtij viti, ka një të kaluar të ngarkuar me dënime penale të formës së prerë dhe akuza ende të pazgjidhura.

Në ditën që aplikoi për vendin e punës, ai ndodhej në paraburgim, fakt që ngrit dyshime mbi procesin e punësimit. Dyshimet shtohen kur një faktor tjetër bëhet pjesë e çështjes, gruaja e tij Pajtesa Berisha e cila ka qenë asambliste e listës së Lëvizjes Vetëvendosje e më pas ka kaluar në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Komuna e Dragashit udhëhiqet nga LDK, në krye me Bexhet Xheladinin.

Më 14 shkurt 2024, Komuna e Dragashit njoftoi për konkursin e shpallur për pozitën “zyrtar për gjendje civile”. Afati për aplikim ishte nga 15 shkurti deri më 15 mars.

Aplikimi për këtë konkurs duhej të bëhej përmes e-mailit dhe portalit për rekrutim elektronik të Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore.

Komuna e Dragashit shpalljen e konkursit për pozitën e zyrtarit për gjendje civile e kishte bërë në bazë të Ligjit për Zyrtarët Publikë me pikat 1,2,3, 4, 5, dhe 6 të Nenit 39 dhe Rregullores për pranimin dhe karrierën në shërbimin civil të nenit 5.

Në pikën 1 të Nenit 9 të kësaj Rregullore, thuhet se testi me shkrim duhet të realizohet më së largu 15 ditë pas publikimit të listës së kandidatëve që kanë kaluar verifikimin paraprak.

Por, në konkursin e Komunës së Dragashit për pozitën zyrtar për gjendje civile, në të cilin aplikuan dhjetë kandidatë, verifikimi paraprak u publikua më 28 mars, ndërsa testimi me shkrim u mbajt më 26 prill. Pra, 21 ditë pune pas publikimit të rezultateve të verifikimit paraprak. Megjithatë, në testin me shkrim që iu nënshtruan 5 kandidatë, pragun e kaloi vetëm Fehmi Selaj, me 65.8 pikë, ndërsa në intervistë mori 25 pikë, në total pra kishte 90.8 pikë. Pas përzgjedhjes nuk ka pasur asnjë ankesë dhe rrjedhimisht, më 28 maj kandidati i përzgjedhur për punësim si Zyrtar për gjendje civile në Komunën e Dragashit ishte Fehmi Selaj.