Në të dhënat që ka ofruar Komuna e Dragashit për “Betimin për Drejtësi”, data kur aplikoi Selaj ishte 14 mars, një ditë para se të mbyllej afati i konkursit. Të dyshimtë këtë aplikim e bën fakti që Selaj në atë ditë ndodhej në paraburgim.
Pra, të njëjtit i ishte caktuar masa e paraburgimit një ditë më parë më 13 mars deri më 11 prill. Sipas aktakuzës, së ngritur më 5 prill nga Prokuroria Themelore në Prizren, me prokuror të rastit Beqë Shala, Selaj ngarkohet me veprën penale “lëndim i lehtë trupor” dhe “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.
Ai akuzohet se më 11 mars 2024 në fshatin Zym të Dragashit, në oborrin e xhamisë i shkakton një personi lëndim të lehtë trupor me mjet të rrezikshëm.
“I pandehuri i revoltuar nga prania e shumë automjeteve afër shtëpisë së tij, fillimisht shanë dhe fyen e më pas e godet me sëpatë dritaren e automjetit nga ana e vozitësit- të dëmtuarit A.A.,, ku i njëjti nga xhamat e thyera pëson lëndime të lehta trupore dhe atë plagë prerëse në regjionin e buzës së poshtme të gojës dhe regjionin e gishtit të madh të dorës së djathtë”, thuhet në aktakuzë.
Ankesë për caktimin e masës së paraburgimit kishte bërë, mbrojtësi i Fehmi Selajt, në Gjykatën e Apelit, mirëpo kjo e fundit e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e tij.
Në anën tjetër, pas përfundimit të paraburgimit prej një muaji, nuk ka pasur kërkesë për vazhdimin e masës së sigurisë nga prokurori shtetit.
Lidhur me këto dhe çështje të tjera, ekipi i “Betimit për Drejtësi”, më 30 tetor u paraqitë tek zyra e Fehmi Selajt në Llapushnik të Dragashit, gjatë orarit të punës, por ai nuk ndodhej aty.
Gazetarja: A punoni këtu diçka?
Shkëlqim Krasniqi: Po, zyrtar.
Gazetarja: Si quheni më fal?
Shkëlqim Krasniqi: Shkëlqim Krasniqi.
Gazetarja: A është zyrtari Fehmi Selaj këtu?
Shkëlqim Krasniqi: Çka po ju duhet?
Gazetarja: Po më duhet, kom me pyet për një intervistë nëse ka mundësi?
Shkëlqim Krasniqi: Për momentin Fehmia nuk gjendet këtu, nuk është këtu.
Gazetarja: Po, a e ka orarin e punës?
Shkëlqim Krasniqi: A për këtë unë nuk mundem me thënë se ai nashta në orar të punës është, por i ka marrë leje drejtorit. Përderisa ka dalë ai me siguri ka marrë leje.
Pas këtij komunikimi, ekipi i “Betimit për Drejtësi” e telefonoi Selajn për ta pyetur se pse nuk është në vendin e punës dhe për t’i kërkuar intervistën.
Telefonatë, Fehmi Selaj, zyrtar civil në Komunën e Dragashit:
Fehmi Selaj: Alo
Gazetarja: Alo, përshëndetje i nderun?
Fehmi Selaj: Përshëndetje, urdhëroni?
Gazetarja: A po flas me Fehmi Selajn?
Fehmi Selaj: Jo, gabim je.
Gazetarja: I nderun, jam Shpresa, gazetare prej Betimit për Drejtësi, aktualisht jemi te vendi i punës ku ju e keni.
Fehmi Selaj: Veç kalo mirë, të kisha lutë mos me m‘pengu.
Gazetarja: A mundeni me na tregu se pse nuk jeni në vendin e (e ndal)”
Ndonëse, i njëjti refuzoi të flasë, ekipi i “Betimit për Drejtësi” në vazhdimësi ka telefonuar Fehmi Selajn, për t’i kërkuar intervistën, ku më 4 nëntor në numrin e njëjtë të telefonit ai përgjigjet.
Telefonatë, Fehmi Selaj, zyrtar civil në Komunën e Dragashit:
Gazetarja: A ka mundësi me realizu këtë intervistë brenda kësaj jave?
Fehmi Selaj: S’po di për çka se realisht unë kam numër tjetër se ne punojmë me numra zyrtarë, numra të Valës, këtë numër privat e kam.
Gazetarja: Ëhë, se herën e kaluar nuk e keni pranu që jeni ju për atë me këtë numër, por sidoqoftë…
Fehmi Selaj: Jo, jo unë se kam pranu se e kam marrë me të thënë të drejtën sot që është koha e pauzës tash, jam tu dalë në pauzë e më vyjti me i hjek do shënime prej telefoni, se realisht këtë numër e kam të biznesit nuk e shfrytëzoj në punë këtë numër.
Gazetarja: Sidoqoftë, i nderun po më duhet një intervistë prej juve nëse ka mundësi gjatë kësaj jave
Fehmi Selaj: Po në lidhje me çka?
Gazetarja: Në lidhje me punësimin e..
Fehmi Selaj: Se më keni informu, po unë kam qenë te stomatologu, deri në ora 2:00 kam qenë në punë atë ditë e pastaj e kam pasë një termin te stomatologu.
Gazetarja: Në lidhje me punësimin e juaj si zyrtar civil në Komunën e Dragashit.
Fehmi Selaj: Po lirisht, lirisht unë jam në gjendje me tu përgjigj prej këtu, nuk kam arsye me u largu.
Gazetarja: Okej, a mundemi nesër në sa ora me ardhë me kry intervistën?
Fehmi Selaj: Po ti, por unë në orar të punës nuk parapëlqej me japë intervista se jam në shërbim të qytetarëve e me qenë jashtë orarit nuk prishë punë kurgjë, asbolut nuk prishë punë kurgjë se në fund të fundit gjithçka çka të intereson janë transparente, janë publike…