Golden Eagle Ylli është finalisti i parë i Ligës Unike në basketboll.
Të premten pasdite në Vlorë, Ylli mposhti thellë Pejën në gjysmëfinale. Rezultati në fund të ndeshjes ishte 91:61 për skuadrën nga Suhareka.
Dallimi u bë në çerekun e tretë dhe të katërt, ku Ylli shfaqi lojë të nivelit dukshëm më të lartë. Çereku i tretë përfundoi 29:18, ndërsa i katërti 24:9. Kështu kriza e skuadrës kampione të Kosovës, Pejës, sa shkon e thellohet.
Alonzo Verge Jr udhëhoqi Yllin me 34 pikë, tetë asistime e katër kërcime. Nate Grimes i kishte nëntë pikë e gjashtë kërcime. Vincent Cole i kishte 14 pikë, ndërsa Jan Palokaj e ndihmoi fitoren me 11 pikë e gjashtë kërcime.
Pejës nuk i mjaftuan 19 pikët dhe 11 kërcimet e Justin Davisit. Jetmir Zeqiri i kishte 12 pikë e katër kërcime, ndërsa Larry Thomas ndeshjen e përfundoi me 13 pikë e katër kërcime.
Finalja është të dielën, po ashtu në Vlorë.