Basketboll

Trepça udhëheq ndaj Sigal Prishtinës pas çerekut të parë

Trepça dhe sigal Prishtina

Trepça është duke udhëhequr ndaj Sigal Prishtinës pas çerekut të parë në gjysmëfinalen kthyese të Kupës së Kosovës në basketboll. 

Mitrovicasit dhjetë minutëshin e parë ndaj prishtinasve në palestrën e stërmbushur në “Minatori”, e kanë fituar me rezultatin 22:21. 

Ndeshja e parë gjysmëfinale e zhvilluar më 15 janar në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, ishte mbyllur me rezultatin 67:65, në të mirë të Sigal Prishtinës. 

Një javë më pas, Prishtina e mposhti në “Minatori” skuadrën e Trepçës 88:86, në kuadër të xhiros së 18-të të elitës së basketbollit kosovar.

Trepça në finale të Kupës, fiton thellë ndaj Prishtinës

10 muaj më parë / 29 jan 2025 20:56
Trepça në finale të Kupës, fiton thellë ndaj Prishtinës

Trepça është finalistja e parë e Kupës së Kosovës në basketboll. Në gjysmëfinale, Trepça e eliminoi rivalen e madhe, Sigal Prishtinën. Gjysmëfinalja u zhvillua në dy ndeshje, ndërsa në ndeshjen e kthimit mitrovicasit fituan thellë, me rezultat 84:66.

Ndeshja Trepça – Sigal Prishtina u zhvillua të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Palestra buzë lumit Ibër ishte e mbushur me shikues, ndërsa përkrahja për skuadrën vendase ishte e madhe. Presioni për ekipin mysafir po ashtu. Në çerekun e tretë ndeshja u ndërpre për pak minuta, deri në largimin e një pjese të shikuesve nga tribuna VIP.

Trepça është fituese në fuqi e Kupës së Kosovës, ndërsa në finale takohet me fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Bashkimit e Vëllaznimit. Ndeshja e dytë mes këtyre dy skuadrave luhet të enjten prej orës 18:30.

Çereku i parë i ndeshjes mes Trepçës e Prishtinës ishte i barabartë, 22:21. “Xehetarët” shkëputjen e nisën menjëherë në fillim të çerekut të dytë të cilin e fituar 21:15. Pas pjesës së parë rezultati ishte 43:36 për vendasit.

Dallimi u bë sidomos në çerekun e tretë, të cilin Trepça  e fitoi 26:16. Në këtë çerek shpërtheu Mikaile Tmushiq me disa treshe rresht.

Ndërkohë çereku i katërt ishte sërish i barabartë dhe kështu Trepça e mbajti epërsinë e lartë të krijuar sidomos në çerekun e tretë.

Te Trepça më i miri ishte Mikaile Tmushiq me 23 pikë. Ai i kishte edhe pesë kërcime. Tekele Cotton realizoi 15 pikë e pesë kërcime, ndërsa Michael Myers i realizoi 11 pikë e katër kërcime. Kontribuoi edhe fundi tjetër amerikan, Malik Johnson me 13 pikë, shtatë asistime e katër kërcime.

Donte Clark i kishte statistikat më të mira te Sigal Prishtina. Ai ndeshjen e përfundoi me 10 pikë, nëntë kërcime e katër asistime. Rashid Mahalbashiq i kishte 14 pikë e nëntë kërcime, por edhe pesë topa të humbur e shumë gjuajtje jo të sakta. Josh Nzeakor i realizoi 13 pikë, tri kërcime e tri asistime, ndërsa Muhamedali Janjeva kontribuoi me 15 pikë e katër kërcime, që megjithatë nuk mjaftuan.

Kjo ishte ndeshja e tretë brenda një kohe të shkurtër mes Trepçës e Prishtinës. Dy ndeshjet e kaluara i fitoi skuadra prishtinase me rezultat të ngushtë. Por të mërkurën dominuan “xehetarët” dhe siguruan një tjetër finale. Mitrovicasit i kanë luajtur të gjitha finalet në vitet e fundit. Vjet i fituan të gjitha po ashtu.

Vazhdon ndeshja në Mitrovicë

10 muaj më parë / 29 jan 2025 20:07
Trepça dhe sigal Prishtina

Ka vazhduar ndeshja mes Trepçës e Sigal Prishtinës.

Janë larguar vetëm një pjesë e shikuesve nga tribunat VIP.

Ndërpritet ndeshja në Mitrovicë

10 muaj më parë / 29 jan 2025 19:58
Ndërpritet ndeshja në Mitrovicë

Është ndërprerë ndeshja mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës. 

Në mesin e çerekut të tretë, arbitrat kanë larguar lojtarët nga parketi. 

Pas një fauli në sulm që iu dha një lojtari të Prishtinës, ai reagoi dhe u ndëshkua me gabim josportiv.

Ndërkohë nga shikuesit në parket ka pasur të tillë që kanë tentuar të cenojnë fushën e lojës. 

Kjo edhe solli ndërprerjen. Ka gjasa që të largohen tifozët nga tribunat.

Trepça në epërsi prej shtatë pikësh pas pjesës së parë

10 muaj më parë / 29 jan 2025 19:21
Trepça në epërsi prej shtatë pikësh pas pjesës së parë

Trepça  po udhëheqë 43:36 ndaj Sigal Prishtinës në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në basketboll.

Ndeshja po zhvillohet në “Minatorin”  e stërmbushur.

Çereku  i parë përfundoi 22:21 për vendasit, ndërsa i dyti 21:15.

Prishtina e ka fituar ndeshjen e parë me dy pikë dallim.