Basketboll

Prishtina në gjysmëfinale, Vëllaznimit nuk i mjafton paraqitja e mirë

KB PRishtina

Foto: Arkiva

Vëllaznimi luajti mirë në tre çerekë, por nuk arriti që ta ruajë epërsinë përballë Prishtinës dhe u eliminua nga turneu i Superkupës së Kosovës në basketboll. 

Të shtunën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, që është nikoqire e turneut të Superkupës, Prishtina fitoi me rezultatin 78:73. 

“Kuqezinjtë” shkuan në pushim me tetë pikë dallim, pas rezultatit 42:34. 

Çerekun e parë e fituan 23:14, ndërsa periudha e dytë u takoi “bardhekaltërve” me një pikë epërsi, 20:19. 

Vëllaznimi shfaqi më shumë nga loja edhe në çerekun e tretë dhe në dhjetë minutëshin e fundit hyri me një pikë epërsi, 57:56. 

Posa filloi periudha që e vendosi sfidën, e katërta, Prishtina kaloi në epërsi me dy pikët e Damire Burns dhe deri në fund nuk e lëshoi epërsinë për fitore dhe avancim në gjysmëfinale. 

“Kuqezinjtë” u munduan të kthehen, por në momentet e fundit nuk e patën përqendrimin e duhur dhe shpërdoruan aksionet që i patën. 

Më i dalluari te Prishtina ishte Jalen Moore me 23 pikë, nëntë kërcime e pesë asistime, kurse kontribut të madh dha edhe Daniel Lekndreaj. Lekndreaj ndaj ish-skuadrës shënoi pesë pikë, 12 kërcime e pesë asistime. 

Vëllaznimit nuk i ndihmuan 18 pikët e shtatë kërcimet e nigerianit Jason Jitoboh. Jitoboh i gjatë 210 centimetra, pati edhe katër bllokada. 

Kundërshtarët e gjysmëfinaleve, Prishtina dhe Trepça do t’i mësojnë pasi të përfundojë kjo fazë e turneut. 

Shorti do t’i përcaktojë gjysmëfinalistët.