Basketboll

Prezantohet Choulet, pritjet prej tij janë të mëdha

Jean-Denys Choulet

Francezi Jean-Denys Choulet është optimist se do të jetë i suksesshëm në krye të përfaqësueses së Kosovës në basketboll. Trajneri me përvojë është emëruar selektor i Kosovës kohë më parë, ndërsa u prezantua zyrtarisht të hënën në një konferencë për shtyp të mbajtur në lokalet e Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Choulet do të debutojë më 21 nëntor, kur Kosova luan ndaj Zvicrës në Bernë. Më 24 nëntor, “Dardanët” e koshit përballen me Irlandën në Dublin.

Ndeshjet i takojnë raundit të parë të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2027.

Choulet në postin e selektorit të Kosovës e zëvendëson Rami Hadarin, që dha dorëheqje. 66-vjeçari do ta drejtojë Kosovën deri në vitin 2027, sipas kontratës së firmosur.

“Jam i lumtur që i jam bashkuar ekipit përfaqësues të Kosovës dhe shpresoj që do bëjmë punë të mirë dhe do të mundohemi të kualifikohemi. Së pari duhet të fokusohemi në dy ndeshjet që na presin, sidomos të parën kundër Zvicrës dhe pastaj atë ndaj Irlandës. Është kënaqësi që jam këtu dhe që do të punoj me kolegët vendas. I kam shikuar dy apo tri ndeshje, dje dhe pardje, për t’u munduar të mësoj diçka për basketbollin në Kosovë. Mendoj që ishte një lëvizje e mirë, sepse i pashë disa lojtarë të mirë dhe besoj që di si t’i përdor në ekipin përfaqësues”, ka thënë Choulet në konferencën për shtyp.

Ai ka premtuar maksimumin për të shënuar fitore në dy ndeshjet e vështira në udhëtim.

Sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit e Kosovës, Elvira Dushku, tha se francezi Choulet ka njohuri të mëdha për basketbollin kosovar dhe për Përfaqësuesen A.

“Kur kemi biseduar me trajnerin, ne i kemi treguar për rezultatet që i ka pasur Përfaqësuesja e Kosovës. Ai po ashtu ka qenë në dijeni prej momentit kur kemi filluar bisedimet me të. Choulet ka shprehur iniciativën e tij për t’u interesuar dhe po ashtu ka shumë informata për basketbollin kosovar, por edhe për Përfaqësuesen A”, ka thënë Dushku.

Menaxheri i përfaqësueseve të Kosovës në basketboll, Adriatik Rraci, tregoi se kanë qenë në bisedime edhe me disa trajnerë të tjerë. Por në fund është vendosur për francezin me përvojë

“Ne kemi pasur disa opsione pas largimit të trajneri Rami Hadar. Kemi qenë në bisedime me disa trajnerë. Por në fund vendosëm për trajnerin Choulet. Arsyet janë të shumta pse kemi vendosur për këtë trajner. Arsyeja kryesore ka qenë karriera e tij dhe eksperienca e tij në basketboll”, u shpreh Rraci.

Kosova e ka një fitore dhe një humbje në këtë cikël kualifikues. Fitoi ndaj Irlandës në Prishtinë, ndërsa më pas u mposht nga Azerbajxhani në Baku. Këto ndeshje janë luajtur në muajin shkurt. 

Choulet ka punuar në klube elitare franceze për kohë të gjatë. Ka edhe tituj të fituar. Tani përvojën e tij do ta vërë në shërbim të përfaqësueses së Kosovës.