Komisioni i Garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka vendosur për incidentin e së shtunës në Gjakovë. Zyrtari i Vëllaznimit, Jeton Bakalli, ka hyrë në parket dhe ka pasur kontakt fizik me arbitrin Erzen Haxhani.
Ky incident ndodhi gjatë ndeshjes Vëllaznimi – Sigal Prishtina.
Vëllaznimi është dënuar me gjithsej 1500 euro, kurse në ndeshjen e radhës nuk do të ketë shikues “në zonën VIP, pas koshave”.
Ndërkohë Jeton Bakalli, që zyrtarisht është përfaqësues i KB Vëllaznimit, është gjobitur me 1000 euro dhe me “një ndeshje ndalim hyrje në sallë”. Ndaj Bakallit është hapur edhe procedurë disiplinore.
FBK-ja ka bërë edhe një paraqitje të incidentit që më pas u dënua nga gjyqtarët dhe vetë FBK-ja.
“Nga vija fundore e fushës hyri një person i paautorizuar, Jeton Bakalli, i cili nga prapa e tërhoqi dhe e kapi për fanelle gjyqtarin Erzen Haxhani. Si pasojë e këtij veprimi, ndërhyri menjëherë policia, duke e ndaluar personin që tentoi të sulmojë gjyqtarin. Pas konsultimit dhe dakordimit me gjyqtarët e ndeshjes, u vendos që loja të vazhdojë, por fillimisht të zbrazet e gjithë pjesa ku ishin të vendosur VIP-at dhe shikuesit e tjerë nga zona prej nga kishte hyrë personi në fushë. Pas zbatimit të kësaj mase, ndeshja vazhdoi deri në përfundimin e saj”.