Basketbollisti Don Polloshka kishte pësuar lëndim të rëndë në gju, në janar të vitit 2023. Tetë muaj më pas, fundori ishte lënduar sërish. Dhe iu desh të operohej për herën e dytë brenda një viti.
Lëndimet ishin në ligamentin kryqëzor (ACL) në të njëjtin gju. Ato e lanë jashtë arenave për 20 muaj. Por, Polloshka, me shumë vetëbesim, punoi fort dhe u kthye në nismë të këtij edicioni. Tani është prej lojtarëve të rëndësishëm te Vëllaznimi i Gjakovës. Të shtunën mbrëma shkëlqeu në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
“Para dy vjetësh kam pasur lëndim të rëndë. Afro 20 muaj kam qëndruar jashtë. Edhe në fillim të edicionit aktual kam luajtur vetëm dy ndeshje, në Superkupë dhe në kampionat me Pejën, në lojën e parë që e kemi fituar në Gjakovë. Pastaj kam pauzuar për një muaj, pas një lëndimi në kofshë”, ka treguar Polloshka të dielën për KOHËN.
Ai e falënderon kryetarin e klubit gjakovar, Ideal Bakija, i cili i ka qëndruar gjithmonë afër dhe ka besuar në të.
Polloshka po e shpaguan besimin e kryetarit të klubit e po ashtu të trajnerit kroat, Jeronimo Sharin.
Ndeshjen e xhiros së 17-të, të zhvilluar të shtunën, Vëllaznimi e fitoi në Mitrovicë ndaj Trepçës me rezultat 78:72. Organizatori i lojës së “kuqezinjve” luajti rol goxha të rëndësishëm në fitoren e nëntë të edicionit.
Basketbollisti me prejardhje nga Gjakova e i lindur në Prishtinë, i pati nëntë pikë të realizuara, dy kërcime e pesë asistime.
Dy treshe i realizoi kur po vendosej ndeshja në çerekun e katërt, ndërsa të rëndësishme ishin sidomos tri pikët e fundit. 49 sekonda para fundit, kur rezultati ishte 69:68 për Vëllaznimin, Polloshka realizoi bukur për dy pikë e po ashtu u faulua. E realizoi edhe gjuajtjen e lirë për 72:68 në të mirë të Vëllaznimit. Dhe Trepça nuk ia doli të afrohet më.
22-vjeçari Polloshka theksoi se me trajnerin Sharin, skuadra është përmirësuar dukshëm. Po luan mirë në mbrojtje e sulm, por mbi të gjitha, e ka vlerësuar mentalitetin fitues të trajnerit.
“Trajneri na ka instaluar një sistem se pavarësisht se me kë luajmë, ne të luajmë për fitore. Ndryshe është kur hyn ta fitosh lojën e ndryshe është kur shkon vetëm të luash. Mund të humbësh nga Trepça sepse dihen cilësitë që i ka në skuadër. Ne jemi skuadra me buxhetin më të vogël në ligë. Dhe po luajmë ndaj një ekipi me buxhetin më të madh. Ka lojtarë me eksperiencë, sidomos vendorët. Të gjithë janë prej kohësh pjesë e Superligës. Por ne kemi hyrë për të fituar. Ndoshta çelësi i suksesit është lufta për çdo top, në çdo lojë, me mbrojtje të mirë dhe me angazhim nga të gjithë në fazën e sulmit, si ata që luajnë nga fillimi, njësoj edhe ata që inkuadrohen ndërkohë. Të gjithë po angazhohemi”, ka deklaruar Polloshka, që është 175 centimetra i gjatë.
Polloshka është rritur në familje sportistësh. Babai, axha e gjyshi nga ana e nënës, janë marrë me basketboll. Gjyshi tjetër ka qenë futbollist. Ka bërë vazhdimisht jetë sportisti.
Ai thotë se si fëmijë ka luajtur basketboll për t’u argëtuar, ndërsa nga mosha 15-vjeçare ka nisur të mendojë për t’u bërë profesionist.
E ka nisur karrierën te shkolla e basketbollit Vertical, për të vazhduar më pas te M-Junior. Luajti edhe te Feronikeli e Don Bosko. Si 17-vjeçar iu bashkua Sigal Prishtinës, ndërsa pas tre vjetësh kaloi te Vëllaznimi.
Me Sigal Prishtinën e ka fituar Kupën dhe dy herë Superkupën, ndërsa titullin dhe Kupën në Ligën e Parë e ka fituar me Feronikelin.
Tjera synime tani ka me Vëllaznimin, skuadër te e cila po luan me mesatare prej 5.6 pikëve e 3.1 asistimeve për ndeshje.
“Po shkon mirë gjithçka. Ne si skuadër ende nuk e mendojmë titullin apo Kupën. E mendojmë lojën e ardhshme, me Proton Cable Prizrenin. Pastaj vjen Bora, pas Borës vjen Kupa me Bashkimin në gjysmëfinale. Pas çdo loje mendojmë vetëm për lojën tjetër. Nuk e mendojmë çfarë do të ndodhë në fund të prillit, a do ta fitojmë titullin apo jo. Normal se ne do të provojmë sepse çdo klub në botë lufton për një gjë të tillë”, thotë Don Polloshka.
Polloshka i gëzohet faktit që në Gjakovë, ai dhe bashkëlojtarët e kanë përkrahjen e madhe të tifozëve.
Në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës ndaj Bashkimit, palestra ishte e stërmbushur.
“Ne e luajtëm lojën më të keqe të sezonit kundër Bashkimit dhe përsëri arritëm që të fitojmë. Kjo ishte falë tifozëve”.
Vëllaznimi në Superligë aktualisht ka bilanc prej nëntë fitoreve e tetë humbjeve dhe ka gjasa shumë të mira për ta arritur plejofin, që është synim i skuadrës gjakovare.
Gjasa për sukses, “kuqezinjtë” kanë edhe në Kupën e Kosovës. Ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Bashkimit, Vëllaznimi e fitoi me rezultatin 80:71.