Basketboll

Bashkimi pëson tjetër humbje të thellë

bashkimi

Nënkampioni i Kosovës, Bashkimi, ka pësuar tjetër humbje të thellë në “FIBA Europe Cup”. 

Në kuadër të Grupit J, pas humbjes 93:79 nga Cibona, Bashkimi pësoi edhe në Itali nga Pallacanestro Reggiana, 100:65. 

Dallimi në rezultat u bë në çerekun e parë dhe të tretë. 

Në periudhën e parë, Reggiana fitoi 31:17. Çereku i dytë u mbyll 21:21, ndërsa i treti 29:13 në të mirë të vendësve.

Në periudhën e fundit, rezultati u thellua edhe më shumë dhe Bashkimi u mposht me 35 pikë dallim.

Vetëm tre basketbollistë të Bashkimit shënuan pikë dyshifrore. Isaiah Cousins i kishte statistikat më të mira me 19 pikë, tri kërcime e një asistim. 13 pikë, e katër kërcime i kishte De’Quon Lake, ndërsa Lejson Zeqiri shënoi 14 pikë dhe pati dy kërcime e një asistim. 

I pandalshëm te skuadra italiane ishte Jaylen Barford me 16 pikë, 6 kërcime e tri asistime. 

Reggiana e Cibona kanë nga dy fitore në po aq ndeshje të luajtura, ndërsa Dijoni e Bashkimi kanë dy humbje në po aq ndeshje të luajtura. 

Bashkimi e Dijoni përballen më 29 tetor në “Sezai Surroi” në Prizren. 

Reggiana e Cibona luajnë në ndeshjen tjetër të Grupit J.