Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Veturat Tesla nuk pritet të miratohen këtë vit si vetëdrejtuese

Softueri i avancuar i asistentit të shoferit të Teslas nuk do të marrë miratimin rregullator në vitin 2022, ka bërë të ditur themeluesi i Teslas, Elon Musk.

Ai ka thënë se kompania nuk është ende në gjendje t’i bindë autoritetet që makinat e saj mund të drejtohen pa dikë në timon, shkruajti Reuters të enjten.

Prodhuesi i automjeteve të Silicon Valley shet një shtesë softuerike prej 15,000 dollarësh të quajtur "Full Self-Driving" (FSD) e cila u mundëson automjeteve të saj të ndryshojnë korsinë dhe të parkojnë në mënyrë autonome. Kjo plotëson tiparin e tij standard "Autopilot" i cili u mundëson veturave të drejtojnë, të përshpejtojnë dhe të frenojnë brenda korsive të tyre pa ndërhyrjen e shoferit.

Megjithatë, veturat ende duhet të drejtohen me mbikëqyrje njerëzore. Një automjet plotësisht autonom do të kërkonte miratimin rregullator.

Musku ka thënë se të gjithë përdoruesit e FSD-së në Amerikën e Veriut do të marrin një version të përmirësuar në fund të vitit, duke shtuar se ndërsa veturat e tij nuk janë gati të mos kenë askënd në timon, shoferëve rrallë do t'u duhej të preknin kontrollet.

“Makina do të jetë në gjendje të të çojë nga shtëpia në punë, në shtëpinë e mikut tënd, në dyqan ushqimor pa prekur timonin”, tha ai.