Auto

Tesla vetëdrejtuese bëhet e disponueshme për amerikanët

Softueri Beta Full Self-Driving i Teslas tani është i disponueshëm për të gjithë në Amerikën e Veriut, ka bërë të ditur të enjten themeluesi, Elon Musk.

Prodhuesi i automjeteve pret miratimin rregullator që veturat e tij të drejtohen pa mbikëqyrje njerëzore, raportoi Reuters.

"Tesla Full Self-Driving Beta tani është në dispozicion për këdo në Amerikën e Veriut që e kërkon atë", ka shkruar Musk në Twitter.

Musk ushpreson të sigurojë një përditësim të "Full Self Driving" (FSD) në vitin 2023 për t'u treguar rregullatorëve se teknologjia është shumë më e sigurt se shoferi mesatar njerëzor.

Prodhuesi i automjeteve të Silicon Valley shet një shtesë softuerike FSD prej 15,000 dollarësh, e cila u mundëson automjeteve të saj të ndryshojnë korsinë dhe të parkojnë në mënyrë autonome. Kjo plotëson tiparin e tij standard "Autopilot", i cili u mundëson veturave të drejtojnë, të përshpejtojnë dhe të frenojnë brenda korsive të tyre pa ndërhyrjen e shoferit.

Tesla, e cila është kritikuar për testimin e teknologjisë së saj të papërfunduar në rrugët publike, është gjithashtu nën hetim nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë mbi pretendimet se automjetet elektrike të kompanisë mund të ngasin vetë, raportoi Reuters në tetor.