Kompania e njohur çeke e veturave, Skoda, gjatë promovimit të modelit të ri Scala ka njoftuar se motori më i fuqishëm i këtij modeli do të jetë ai benzinë 1.5-litër TSI Turbo me kapacitet prej 150 kuajfuqi, por sipas disa informacioneve të reja thuhet se Scala më vonë mund të vijë edhe në version sportiv RS.
Nuk duhet harruar se Skoda ka paralajmëruar Scalën edhe në version Vision RS në formë të konceptit, i cili do të ketë sistemin plug-in hibrid të tërheqjes me motor benzinë 1.5-litër TSI dhe një motor elektrik me kapacitet në total prej 245 kuajfuqi, transmeton Koha.net.
{gallery}
Zyrtarisht ende nuk është vendosur asgjë, por është konfirmuar se Scala RS është duke u shqyrtuar dhe se është një mundësi që modeli eventual serik të bëhet me sistemin hibrid të tërheqjes (me siguri përsëri kombinimi i njëjtë – motori benzinë 1.5-litër dhe motori elektrik).
Tani, është publikuar një fotografi e cila shfaq pamjen e mundshme të Scalës në version RS. Këtë fotografi e ka publikuar revista e njohur britanike “Auto Express”, ku për këtë model ka parashikuar pasqyrat me ngjyrë të zezë, paketën për aerodinamikën, maskën e përparme të zezë, set të rrotave me ngjyrë të zezë, etj.
Gjithashtu, në paketën “RS” do të gjendeshin edhe amortizatorët sportiv, sistemin e frenave më të fortë, sistemin sportiv të shkarkimit të gazrave, si dhe interier të modifikuar me ulëset sportive dhe timonin sportiv.