Ideja prapa një Rolls-Royce elektrik nuk është e re. Qysh në vitin 1900, themeluesi i kompanisë, Charles Rolls, pati blerë një veturë elektrike dhe qe shprehur: “Vetura elektrike është në mënyrë të përsosur e pazhurmshme dhe e pastër”.
“Nuk ka asnjë erë apo vibrim. Duhet të jenë shumë të përdorshme kur të rregullohen stacionet e mbushjes”, qe shprehur atë kohë Rolls.
Stacionet e mbushjes mund të mos jenë nën kontroll të Rolls-Roycet, por modeli i ri “Spectre” vjen me ambicien për të udhëhequr sektorin e veturave elektrike. Rolls-Royce ka thënë se “Spectre” është cak i procedurave më shteruese të testimit në krahasim me çfarëdo veture tjetër.
“Spectre” është model ‘coupe’ dhe zëvendëson Phantom Coupen. I paraprin elektrifikimit të plotë të Rolls-Roycet, që sipas planeve duhet të bëhet deri më 2030.
Një Rolls-Royce s’do të ishte i tillë pa grilin “Pantheon”. Dritat LED më të buta shtrihen mbi panelet e errësuara që fshehin poçet kryesore. Vetura ka edhe dizajn të ri të rrotave 23-inç.
Brenda dyerve të mëdha është interieri i pastër dhe i jashtëzakonshëm i Roycet. Teknologjia më e re e dritave tradicionale të Rolls-Roycet vjen gjithandej. Normalisht, edhe në tavan.
Teknologjia vjen edhe në kontrollin e veturës. Gjithçka mund të kontrollohet nga aplikacioni i quajtur “Whispers”.
“Spectre” ka sistemin më të ri që tërheq me katër rrotat. Bateria është e integruar në strukturën tërësisht alumin dhe luan rol që të mos ketë fare zhurmë.
Rolls-Royce nuk ka reputacion për performancë, edhe pse veturat e kompanisë kryesisht kanë motorë të mëdhenj V8 apo V12. Edhe pse s’ka të konfirmuar shumë specifika, “Auto-Express” raporton që “Spectre” do të ketë 576 kuajfuqi e përshpejtimin prej 0 në 100 kilometra për orë e arrin për vetëm 4.4 sekonda.
Nuk ka pasur raportim as për madhësinë e baterisë. Megjithatë, pritet që vetura të ketë mundësi të kalojë gati 500 kilometra distancë me një mbushje të baterisë.
Porositë e para të veturës janë një vit larg. Ato do të bëhen në fund të 2023-s.
Pritet që një veturë e tillë të kushtojë rreth 350 mijë euro.
{gallery}