Pas disa dekadash rritjeje enorme, sektori i automobilizmit në Kinë është duke u përballur me një rënie të lirë tash e një kohë, për shkak të standardeve të reja të emetimit të gazit e rënies së kërkesës nga klientët shkaku i tarifave të reja dhe ngadalësimit ekonomik.
Shpërthimi i koronavirusit, me origjinë nga Wuhani i Kinës, e thelloi edhe më shumë rënien e kërkesës në tregun më të madh të automobilave në botë.
Sipas Asociacionit të Prodhuesve të Automobilave në Kinë (CAAM), shitjet e automobilave u tkurrën për 43 për qind në krahasim me një vit më parë, në 1.43 milionë njësi të shitura në muajin mars. Përderisa marsi shënoi muajin e 21-të rresht të rënies, ai nuk ishte i rëndë në përqindje sikurse shkurti, që shënoi rënie të shitjeve prej 80 për qind, krahasuar me një vit më herët.
Falë edhe shpërthimit të koronavirusit dhe izolimit të madh, prodhuesit në Kinë përjetuan tremujorin më të rëndë ndonjëherë, nga janari në mars, me shitjet që ranë për 42 për qind në krahasim me një vit më herët, në 3.7 milionë vetura.
Tregu në rënie të lirë, shitjet e marsit ofrojnë shpresë
Tregu i automobilave në Kinë ka qenë në rënie që nga korriku i 2018-s për shkak të shtrëngimit të masave për emetim, tensioneve tregtare e rritjes së platformave për bashkëngasje dhe ngadalësimit ekomomik. Mbi të gjitha, ndërprerja e subvencioneve për automobilat elektrikë më 2019 ka shfaqur një “pengesë” mbi qëllimin ambicioz të vendit, i cili synon të ketë automobila të mirë për ambientin deri në 60 për qind të shitjeve totale deri në vitin 2035. Mbyllja masive e shtetit për shkak të COVID-19 ka rrezikuar edhe më tej aktivitetet ekonomike dhe kërkesat për automobila.
Edhe
Shitjet dhe eksportet e automjeteve në Kinë pritet të ulen këtë vit
Teksa pandemia uli skajshmërisht kërkesat, shitjet e muajit mars vazhduan me rënie, por me një ritëm më të ngadalësuar. Shitja e automobilave me energji pësoi rënie për të nëntin muaj rresht në mars, me 53 mijë njësi të shitura (duke përjashtuar shitjet nga “Tesla”), sipas “CAAM”.
Gjithsesi, rënia ishte më pak e thellë se një muaj më herët, ku shitjet e automobilave elektrikë në Kinë patën rënie prej 77 për qind në krahasim me një vit më herët, me 11 mijë njësi të shitura. Në fakt, të dhënat nga shitja e këtyre automobilave në muajin mars japin një fije shprese për rikthim, kanë thënë zyrtarët... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore. Regjistrohuni falas)