Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Më shumë se 70 mijë vende pune në Itali janë të rrezikuara për shkak të veturave elektrike

Automjetet elektrike nuk janë mjeti i vetëm efektiv për reduktimin e emetimeve të dioksidit të karbonit të prodhuara nga industria e veturave, shkruan Autocar.

Teknologjitë e tjera mund të ndihmojnë në dekarbonizimin e industrisë, duke përmbushur të njëjtat qëllime duke ruajtur njohuritë, përvojën dhe vendet e punës në Itali, ka thënë të mërkurën Paolo Scudjeri, president i Shoqatës Italiane të Prodhuesve të Veturave.

“Kam parasysh kontributin e mundshëm të biokarburanteve, lëndëve djegëse sintetike dhe hidrogjenit”, shpjegoi Scudjeri, duke shtuar se industria italiane e veturave tashmë po investon shumë në hidrogjen.

Biokarburantet dhe lëndët djegëse sintetike formojnë një kategori e-karburanteve dhe po zhvillohen për të lejuar përdorimin e vazhdueshëm të versioneve të modifikuara të motorëve me djegie të brendshme, në vend të kalimit në automjetet elektrike komerciale me bateri (BEV).

Fokusi ekskluziv në teknologjinë BEV, aktualisht i dominuar nga prodhuesit aziatikë, do të rrezikonte rreth 73 mijë vende pune në Itali në vitet e ardhshme dhe lëvizshmëria elektrike nuk do të kompensonte humbjen pasi vlerësohet se do të krijohen vetëm rreth 6 mijë vende të reja pune.

Scudjeri shtoi se rreth 450 prodhues të pjesëve të veturave në Itali, nga 2200 gjithsej, mund të mbyllin biznesit, sepse as nuk kanë filluar prodhimin në teknologjinë elektrike.