Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Mbi 250 vetura klasike nga Belgjika do të vijnë në Kosovë

Prishtina e Prizreni do të jenë dy qendrat që janë përfshirë në turin e madh të veturave klasike nga Belgjika, që në kuadër të “Touramical” do ta vizitojnë Ballkanin Perëndimor këtë javë.

“Tour Amical” organizon çdo vit dy ngjarje të mëdha, një më maj dhe një në vjeshtë. Sivjet do të jetë edicioni i 19-të i organizimit. Organizatorët përpiqen çdo vit t’ua ofrojnë adhuruesve të veturave klasike një qasje ndryshe të vendeve që vizitojnë. Për sivjet, në njoftimin zyrtar kanë thënë se ky tur do t’ua mundësojë t’i zbulojmë “perlat ballkanike”.

Për Prishtinën, që pritet të jetë destinacion në fundjavë, në uebfaqe është thënë se ka pak njohuri për këtë qytet, por se “Prishtina në Kosovë është kthyer në qytet modern dhe trend falë punonjësve të shumtë kozmopolitë të organizatave ndërkombëtare”.

Pas Prishtinës, organizatorët pritet të kenë ndalesë edhe në Prizren para se të shkojnë në Shkup.

Vizita do të nisë nga Sofja, do të vazhdojë në Prishtinë, Shkup, Tiranë e do të përfundojë në Dubrovnik nga 10 deri më 16 maj.