Auto

Koncepti i ri i Citroenit, një “dhomë dite” e çuditshme në rrota

Kompania e njohur franceze e veturave, Citroen, këtë vit do të shënojë 100-vjetorin e themelimit dhe për nder të këtij jubileu të veçantë ka përgatitur disa koncepte.

Koncepti i parë ka pasur premierën në fillim të muajit mars në panairin e veturave që është mbajtur në Gjenevë - fjala është për konceptin AmiOne, veturë elektrike për qytet e cila paraqet vizionin e Citroenit për mobilitetin urban, transmeton Koha.net. Ndërsa sot, premierën e ka pasur edhe një koncept tjetër.

{gallery}

Koncepti i prezantuar sot quhet Citroen 19_19 dhe publiku i gjerë do të ketë mundësinë ta shohë në ngjarjen “VivaTech” në Paris, e cila do të mbahet nga 16 - 18 maj. Ky koncept ofron shumë rehati dhe është në version elektrik me sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat.

Citroen njofton se koncept i ri pasagjerëve do t’ju ofrojë një eksperiencë të veçantë të vozitjes, duke përfshirë sistemin autonom të vozitjes, asistentin digjital personal si dhe inteligjencën artificiale.

Gjithashtu, koncepti 19_19 karakterizohet edhe me rrotat e mëdha prej 30-inç e goma 255/30 R30, dyert e ashtuquajtura “vetëvrasëse”, dritat Full LED, sistemin e ri të amortizatorëve me pedalet hidraulike progresive, si dhe me interier të vogël por modern të frymëzuar nga një dhomë e ditës, përcjell Koha.net. Këtu duhet përmendur edhe ulëset individuale, ekranin Head-up, si dhe faktin që timoni dhe pedalet lëvizin kur sistemi për vozitje autonome është i aktivizuar. Po ashtu, te ky koncept është e modifikuar edhe logoja e Citroenit, e frymëzuar nga fillimet e kësaj marke në vitin 1919.

Sa i përket dimensioneve, Citroen 19_19 Concept është i gjatë 4.6 metra, i gjerë 2.2 metra, i lartë 1.6 metra ndërsa boshtin e rrotave e ka të gjatë 3.1 metra.

Citroen 19_19 Concept, po ashtu, ka dy motorë elektrikë me fuqi në total prej 340 kW/462 kuajfuqi, ku shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë mund ta arrijë për 5 sekonda ndërsa atë maksimale deri në 200 km/h.

Koncepti 19_19 me vetëm një mbushje të baterive me kapacitet prej 100 kWh, mund të udhëtojë deri në 800 kilometra. Po ashtu, thuhet se këto bateritë nëse mbushen për 20 minuta me mbushje të shpejtë, koncepti i ri mund të udhëtojë deri në 600 km.