Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Keselowski fiton garën më të gjatë të NASCAR-it

Brad Keselowski ka fituar garën Coca Cola 600 në NASCAR, garë që ka filluar të dielën dhe ka mbaruar në orët e hershme të së hënës. 
Gara 965 kilometërshe në fundjavën e Ditës së Kujtimeve në SHBA jo vetëm që ka qenë më e gjata në kalendarin e NASCAR-it, por të dielën shkoi edhe më gjatë pas aksidentit të William Byronit pesë rrathë pa mbaruar. 

Duke vendosur të mos futet në “pit” dhe të qëndrojë në rreshtin e parë, Keselowski, ka shpërthyer pas rifillimit të garës dhe arriti të përballoj ofensivën e kampionit të shtatëfishtë të NASCAR Cup, Jimmie Johnson. Për Keselowskin ishte fitorja e 31-të në karrierë. 

Gara jo vetëm që ishte më e gjata për nga distanca, por nisi të dielën dhe përfundoi të hënën pas ndërprerjeve shkaku i reshjeve të shiut. 

“Në disa raste u ndjeva sikur lëshova garën. Do të kisha dëshirë që bashkëshortja ime dhe vajzat e mia të ishin këtu. Është fitore e madhe”, ka thënë Keselowski. 

NASCAR-i është një prej sporteve të rralla në Amerikë të Veriut që po organizohet, ndërsa sportet tjera po shikojnë për mënyra të rikthimit pas pandemisë COVID-19. 
Coca Cola 600 ishte gara e parë nga katër gara rresht në katër ditë në shtegun Charlotte Motor Speedway. 
Gjitha garat po mbahen me rregulla strikte të distancës sociale dhe pa tifozë.