Auto

Gjiganti kinez njofton revolucion në tregun e veturave elektrike

Në mesin e vitit të ardhshëm, marka kineze BYD do të prezantojë modelin Seagull, i cili do të jetë modeli i tyre i parë në treg me bateri natriumi, shkruan AutoCar.

Bateritë e natriumit janë shumë më të lira, më të sigurta dhe më të qëndrueshme se bateritë e litiumit, megjithëse disavantazhi i tyre kryesor është se ato ofrojnë një densitet më të ulët të energjisë. Për këtë arsye fillimisht do të vendosen vetëm në vetura elektrike me rreze të shkurtër dhe të mesme. Ende asnjë prodhues nuk ka përdorur bateritë e natriumit për veturat elektrike.

Vetura elektrike BYD Seagull është një veturë 3.6 metra e gjatë me pesë ulëse.

Çmimi i saj do të jetë vetëm tetë mijë euro. Veturat elektrike të tjera kanë një çmim goxha të lartë.

Sipas BYD, bateritë e natriumit mund të prodhohen me një çmim prej 88 euro për kWh (një çmim i ngjashëm me bateritë e litiumit), por me rritjen e prodhimit, prodhuesi kinez shpreson ta ulë këtë kosto në 68 euro/kWh.

Me këtë lëvizje, BYD do t'i hapte rrugën një veture elektrike të lirë, por edhe do të krijonte mbrojtje ndaj rritjes së pandalshme të çmimit të litiumit, i cili tashmë është rritur 145 për qind këtë vit.