Vetura elektrike Aion UT ka tërhequr vëmendjen e publikut pas prezantimit në Panairin e Munihut. Tani është zbuluar një version i ri i këtij modeli kompakt, i cili mund të karikohet plotësisht për vetëm 99 sekonda – falë teknologjisë së ndërrimit të baterive.
Kjo teknologji, e cila po përhapet me shpejtësi në Kinë, i lejon shoferët të zëvendësojnë baterinë e shkarkuar me një të re plotësisht të karikuar, në vend që të presin dhjetëra minuta në stacionet e karikimit.
Modeli i ri Aion UT Super përdor bateritë e ndërrueshme “Choco-SEB” të kompanisë CATL, një nga prodhuesit më të mëdhenj të baterive në botë. Ai do të shitet fillimisht vetëm në tregun kinez, me një çmim që varion nga 12 mijë deri 14,500 euro.
Vetura është e pajisur me një bateri 54 kWh LFP, që siguron rreth 500 kilometra autonomi sipas ciklit kinez CLTC. Shoferët mund të zgjedhin ta karikojnë normalisht, ta marrin me qira baterinë ose ta ndërrojnë në një nga stacionet e posaçme që CATL po zgjeron në të gjithë Kinën.
Në këto stacione, ndërrimi i baterisë zgjat vetëm 99 sekonda – më shpejt se sa një mbushje e zakonshme me karburant.
Aion UT pritet të arrijë në Evropë në vitin 2026, me një çmim rreth 25 mijë euro, duke e bërë një nga veturat elektrike më të përballueshme në kategorinë e saj.