General Motors zbuloi të enjten një SUV të ri elektrik për të cilin, prodhuesi i automjeteve pret të jetë SUV-i elektrik më i lirë në treg kur të nisë shitja e tij.
Chevrolet Equinox EV do të ketë një çmim fillestar rreth 30,000 dollarë, i cili, në çdo rast, do ta bëjë atë një nga automjetet elektrike më të lira të çdo lloji, raportoi CNN-i të enjten.
Automjeti mesatar elektrik i disponueshëm sot ka një çmim bazë prej rreth 47,500 dollarë, sipas Edmunds.com. Çmimi 30,000 dollarë për Equinox EV do të ishte, natyrisht, për versionin më të thjeshtë pa veçori opsionale. Ky çmim nuk përfshin kreditë tatimore, por GM-i aktualisht nuk kualifikohet për asnjë kredi tatimore për automjetet elektrike, dhe është ende e pasigurt nëse ndonjë automjet GM do të kualifikohet sipas rregullave të reja.
Ndër automjetet elektrike të tregut masiv të vitit 2022, vetëm Nissan Leaf, me çmimin bazë 28,500 dollarë, kushton më pak dhe aktualisht kualifikohet për një kredi tatimore federale prej 7,500 dollarësh.
Pavarësisht se ka të njëjtin emër, Equinox EV ndan shumë pak me SUV-in e vogël me benzinë që është modeli i dytë më i shitur i Chevrolet pas pickup-it “Silverado”.