Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Frika nga hantavirusi: Si të mbroheni në garazhe, bodrume dhe vetura të papërdorura

hantavirus

Shpërthimi i fundit i hantavirusit në një anije turistike, ku deri tani janë konfirmuar tre viktima, ka rritur shqetësimet për rrezikun e infektimit edhe në vende të zakonshme si garazhet, bodrumet apo veturat që kanë qëndruar gjatë pa u përdorur.

Sipas autoriteteve gjermane, rreziku kryesor vjen nga jashtëqitjet, urina ose pështyma e brejtësve të infektuar. Virusi mund të mbetet aktiv për disa ditë edhe pasi thahet dhe infekton njerëzit kur pluhuri i kontaminuar thithet gjatë pastrimit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vendet me rrezik më të madh janë garazhet, hambarët apo bodrumet e paajrosura për një kohë të gjatë, veturat e parkuara për muaj të tërë dhe veturat sezonale pas dimrit.

Brejtësit shpesh krijojnë fole në ndarjen e motorit, izolime apo pjesë të brendshme të veturës. Pastrimi me fshesë ose me ajër të kompresuar mund të ngrejë pluhur të infektuar.

Si të mbroheni:

Ajroseni mirë hapësirën para pastrimit

Mos pastroni kurrë pluhurin ose jashtëqitjet e minjve pa asnjë masë mbrojtëse

Përdorni leckë të lagur dhe dezinfektues

Vendosni doreza dhe maskë FFP2

Mos përdorni fshesë elektrike të zakonshme, pasi shpërndan grimcat në ajër

Jashtëqitjet ose kafshët e ngordhura lagen fillimisht me ujë ose dezinfektues para largimit

Lani duart mirë pas përfundimit të pastrimit

Ekspertët këshillojnë gjithashtu të mos mbahen ushqime apo mbetje ushqimore në garazhe dhe të mbyllen të gjitha hapjet nga ku mund të hyjnë brejtësit.

Në disa pjesë të Evropës, bartës të hantavirusit janë jo vetëm minjtë, por edhe disa lloje të miut të egër. Këto kafshë nuk sëmuren vetë, por mund ta bartin virusin gjatë gjithë jetës.