Kompania Ford Motor Co ka thënë të enjten se do të ndalojë javën e ardhshme prodhimin në fabrikën ku prodhon veturat Mustang në Michigan.
Kjo do të ndodhë për shkak të mungesës globale të gjysmëpërçuesve, raporton Reuters.
Industria e automjeteve po përballet me një mungesë globale të çipave, të shkaktuar nga pandemia COVID-19 që ka detyruar kompanitë të ulin prodhimin, megjithëse çmimet e larta të makinave kanë kompensuar pjesërisht ndikimin e saj.
Prodhuesi i automjeteve kishte paralajmëruar muajin e kaluar se mungesa e çipave do të çonte në një rënie të vëllimit të automjeteve në tremujorin aktual.
Muajin e kaluar, Fordi ndaloi prodhimin e automjeteve kamionçinë F-150 për një javë, për shkak të mungesës së çipit.
Prodhimi në fabrikat e tjera të Amerikës së Veriut do të vazhdojë normalisht, ka njoftuar Fordi.