Auto

Dëshira e madhe e njerëzve për të vozitur SUV, po rrezikon të ardhmen

Apetiti i madh i njerëzve për të blerë SUV është duke ‘kërcënuar’ përpjekjet e Britanisë së Madhe për të reduktuar emitimin e gazrave, sipas një raporti të ri.

Qendra për Hulumtimin e Energjisë në Britani gjatë kësaj jave ka publikuar raportin vjetor mbi Politikat Energjetike, i cili thotë se dëshira e konsumatorëve për vetura më të mëdha është duke ‘sabotuar revolucionin e transportit të gjelbër’, transmeton Koha.net.

Ky raport, i cili ‘ekzaminon disa nga sfidat’ për realizmin e synimit ‘2050-ta me zero emitime’, ka rekomanduar që të ‘ndërmarrën hapa të menjëhershëm’ rreth shitjeve të veturave të mëdha.

Sipas këtij studimi, në Britani janë shitur 1.8 milionë SUV gjatë katër viteve të kaluara, ndërsa në 2018-ën shitjet e tyre janë rritur për 21.2%, raporton motor1.

Për shkak se SUV-ët janë më të mëdhenj e më të rëndë, këto vetura emitojnë rreth një çerek më shumë CO2 se sa një veturë e madhësisë së mesme dhe rreth katër herë më shumë se sa një veturë elektrike.

Edhe Agjencia Internacionale e Energjisë (IEA) ka raportuar se SUV-ët janë kontribuuesit e dytë më të mëdhenj të rritjes së ndotjes së ajrit që nga 2010, duke kaluar aviacionin, industrinë e rënë e makineritë transportuese.