Auto

Del në shitje hiper-vetura unike e luksoze e Bugattit

Hiper-vetura unike e kompanisë së famshme të veturave sportive e luksoze, Bugatti, tani është në dispozicion për shitje dhe pronari i ri duhet të paguajë rreth tre milionë dollarë.

Fjala është për të vetmin model të prodhuar, nga kompania e njohur që merret me modifikimin e veturave, Mansory Linea Vincero d’Oro, i cili ka karrocerinë e bërë tërësisht nga fibra të karbonit, transmeton Koha.net. Ky model unik vjen me një dizajn të veçantë, i cili në mbrojtësin e përparmë ka të vendosur shkronjën “V”, me mbrojtësit anësorë të rinj, ndërsa dritat LED dhe rrotat me ngjyrë ari këtij modeli i japin një pamje luksoze.

Interieri i këtij Bugatti Veyron Mansory unik kryesisht përbëhet nga lëkura, duke filluar nga timoni, ulëset e reja dhe konzola qendrore. Fjala është për lëkurë me ngjyrë të zezë, ndërsa në interier ka edhe detaje të bëra nga fibra të karbonit, si dhe detaje tjera me ngjyrë të arit.

Motori i Bugatti Veyron Mansory Linea Vincero d’Oro, 8.0-litër W16, është i modifikuar kështu që tani është me kapacitet prej 1110 kuajfuqi për dallim nga ai standard i cili është me kapacitet prej 1001 kuajfuqi. Ky Veyron i Mansoryt shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë e arrin për më pak se 2,5 sekonda.

Kjo hiper-veturë unike e luksoze kushton 2.485.000 dollarë.

{gallery}